Në trajnimet për Licencën UEFA Pro, që po mbahet në Tiranë po merr pjesë edhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina. Ky i fundit së bashku me Armend Dallkun (Dukagjini) Burim Shala (Fushë Kosova) dhe Qendrim Kida trajner së fundi te Malisheva, sikur po e mbrojnë nderin e trajnerit kosovar, shkruan Albanian News.
Si asnjëherë më parë, gjashtë skuadra tjera drejtohen nga trajnerët që erdhën si prurje në futbollin kosovar, Ilir Daja (Ballkani) e Gentjan Mezani (Gjilani) nga Shqipëria, Xhengiz Rexhepi (Feronikeli 74’) shqiptar nga Maqedonia dhe tre të huajt greku, Akis Vavalis (Drita), senegalezi, Emanuel Egbo (Prishtina) dhe turku, Nedim Yigit (Liria).
Trajneri Batatina ka thënë se trajnimet dhe licenca UEFA Pro do t’i ndihmoi shumë.
‘Me licencen Pro hapen rrugët edhe për të udhëhequr skuadra jo-kosovare por edhe për të marr njohurit ma të reja bashkohore në futboll.
Profesioni i trenerit është zeje që don freskim të përditshum dhe mua personalisht do të më ndihmoj shumë’, ka thënë fillimisht Batatina, i cili edhe publikisht ka deklaruar se është i gatshëm të merr drejtimin e Kombëtares së Kosovës.
Trajneri llapjan më pas shtoi: ‘Vetëm nga fillimi i kursit më kanë kontaktur dy skuadra evropiane për të negociuar por nuk kam pranu sepse Llapi ka projekt që duhet munduar ta mbylli’.
Trajneri lapian më pas falenderon Federaten e Futbollit të Kosovës. ‘ Falenderoi FFK-në që na mundëson aftësimin dhe profesionalizim e zejes se trenerit ku nga ky licensim, ne mbyllum punën e profesionalizmit me licencim por edhe jo me njohuri sepse njohurit merren gjdo dit gjdo jav dhe gjatë tër jetës sepse duhet të jeni me kohën dhe futbollin duke u modernizuar’, përfundoi ai.
Batatina me Llapin ka fituar dy Kupa të Kosovës dhe një Supekupë, derisa këtë vit së bashku me Ballkanin dhe Dritën konsiderohen favorit për trofe.
Krahas Batatinës këtë trajnim po e ndjekin edhe trajnerët Ramiz Krasniqi, Tahir Lushtaku dhe Armend Dallku./Albanian News/