Boksieri profesionist rus Ilya Medvedev, do t’i nënshtrohet operimit plastik në fytyrë, ndërsa vazhdon të shërohet nga një sulm i tmerrshëm nga një ari që e la atë në “aparate për mbajtje në jetë”.
Boksieri 23-vjeçar ishte në shoqërinë e dy personave të tjerë kur një ari i sulmoi ata në një pyll në rajonin rus Tyumen në fund të tetorit të vitit të shkuar.
Një nga pjesëmarrësit, Vyacheslav ‘Slava’ Dudnik (48 vjeç), vdiq nga plagët e marra, kurse Medvedevi arriti t’i kundërpërgjigjet duke e therur disa herë me thikë ariun.
Boksieri pësoi lëndime aq të mëdha sa pas incidentit u fut në komë artificiale.
Fituesi i medaljes së artë në Lojërat Olimpike “Londra 2012”, Egor McHontsev, e quajti Medvedevin “hero të vërtetë” dhe zbuloi të gjitha detajet e historisë horror.
“Shumë e lexuan historinë e tij kur ai shkoi për peshkim me dy shokë dhe takoi një ari që i sulmoi. Ariu vrau menjëherë një peshkatar dhe më pas sulmoi heroin tonë, Ilya Medvedev. Ai ishte tashmë nën ariun dhe kishte pak shanse të shpëtonte. Ai mbijetoi dhe shpëtoi një shok. Ai kishte një thikë në xhep që e zgjati derisa ariu po e sulmonte. E goditi atë disa herë në organet vitale të ariut. Ariu u tërhoq dhe ngordhi jo shumë larg vendit të incidentit”, pati shkruar McHontsev, duke e përcjell këtë me një foto të tij me Medvedevin.
Operacionet që do t’i nënshtrohet Medvedevi janë plastike për rindërtimin e fytyrës, ka bërë të ditur agjencia ruse e lajmeve RIA. /klix