Policia dhe protestuesit bullgarë janë përplasur në rrugët e kryeqytetit. Protestat gati dymujore kundër qeverisë bullgare u përshkallëzuan mbrëmjen e djeshme me më shumë se 100 arrestime dhe përplasje të forta me forcat e rendit. Demonstrata që zgjati 14 orë pa ndërprerje ishte planifikuar të mbahej paqësisht. Mitingu i së mërkurës ishte pjesë e një fushate për të bërë presion ndaj kryeministrit Boiko Borisov dhe kryeprokurorit Ivan Geshev për të dhënë dorëheqjen, për lidhjet e tyre të pretenduara me oligarkët. Borisov, 61 vjeç, ka qenë në pushtet për më shumë se një dekadë.
Shërbimet e urgjencës thanë se disa oficerë policie u plagosën, pasi protestuesit hodhën shishe, gurë dhe fishekzjarre në përpjekje për të thyer kordonin e policisë që rrethonte ndërtesën e parlamentit. Protestuesit kanë mbështetjen e presidentit Bullgar, Rumen Radev, i cili gjithashtu i bëri thirrje Borisov të japë dorëheqjen, duke thënë, “Ne nuk kemi asnjë rrugëdalje tjetër nga kjo humbje e besimit”. Ai bëri një lutje brenda parlamentit për qeverinë për të thirrur zgjedhje të parakohshme në mënyrë që të dilte nga kjo krizë me dinjitet.