Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) përmes një komunikate ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me Arabinë Saudite për të zhvilluar miqësore më 26 tetor të këtij viti.
Ndeshja miqësore mes Shqipërisë dhe Arabisë Saudite do të zhvillohet në qytetin e Abu Dabit në Emiratet e Bashkuara Arabe, përcjell KosovaPress.
Ndërkaq, ora dhe stadiumi se ku do të zhvillohet kjo ndeshje do të caktohen pas bisedimeve finale mes këtyre dy federatave.
Kjo do të jetë ndeshja e parë në histori mes Shqipërisë dhe Arabisë Saudite, që nuk janë përballur më parë në të kaluarën në futboll.
Po ashtu, gjatë muajve të ardhshëm deri në fillim të Kampionatit Botëror “Katar 2022”, Shqipëria do të zhvillojë edhe ndeshje të tjera miqësore sipas kalendarit të FIFA-s ndërsa FSHF po punon për të bërë zyrtare edhe rivalët e radhës.
Në anën tjetër, gjatë këtij muaji Kombëtarja e Shqipërisë do të zhvillojë dy ndeshjet e fundit të fazës së grupeve të Nations League.
Më 24 shtator kuqezinjtë zhvillojnë ndeshje si mysafirë kundër Izraelit, kurse më 27 shtator pret në shtëpi, në stadiumin “Air Albania” Kombëtaren e Islandës.