Nëse nuk e lexuat të premten se Elena Pici zëvendësoi Pralent Ndrecën në postin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme, me gjasë lexuat titujt e portaleve në ditët pasuese, të mbushura me fjalë që mund të jenë shumë gjëra, por jo profesionale.
Picit iu referuan si “kamarierja në klipin e Alban Skënderajt” që “kishte skena flirtimi me këngëtarin”. Me pak fjalë, “një vajzë videoklipesh që u bë sekretare në Ministrinë e Brendshme”. Të njëjtat portale, që nga mëngjesi në darkë i futen me zell hetimeve mbi arrestimin e Fjolla Morinës dhe nëse kishte a jo armë apo është apo jo shtatzënë, dështuan për të gërmuar në Google mbi CV-në e Picit, sepse nëse do të kishin minimumin e etikës profesionale, do të kishin kuptuar që eksperiencat e saj të punës janë shumë më tepër se thjesht “modele videoklipesh” (jo se ka ndonjë gjë të jesh modele nëpër klipe, por për një post në Ministrinë e Brendshme duhen disa eksperienca të tjera).

Sikur të mos mjaftonte kjo, portale të tjera shfrytëzuan momentin për t’u marrë me “reagimin e Alban Skënderajt”, pasi në të gjithë këtë mishmash, fjala e tij kishte shumë më tepër rëndësi se të sqaruarit e publikut se kush është kjo vajza e re që mori një post të rëndësishëm në Ministrinë e Brendshme.
Të vetmet faqe në internet ku përmendet Curriculum Vitae e Picit është profili i saj në LinkedIn dhe ai i krijuar nga universiteti ku ka mbaruar studimet.
Elena gëzon një post të rëndësishëm në ministrinë që mbron ose supozohet të mbrojë të drejtat dhe liritë e shtetasve shqiptare, të hetojë veprimet e paligjshme dhe të luftojë krimin, ndaj më tepër se puna e saj si figurante nëpër klipet e Alban Skënderajt, na intereson arsimi dhe eksperiencat e punës.
Referuar profileve të përmendura më sipër, Elena, pasi mbaroi studimet në një universitet privat në departamentin e Ekonomiksit, fitoi bursën “Chevening” të ofruar nga Britania e Madhe për studentët e ekselencës. Ajo vazhdoi studimet e ciklit master për Zhvillim Ekonomik në London School of Economics dhe u diplomua me rezultate të larta. Pas studimeve në Londër, filloi punë në Bankën e Shqipërisë në Departamentin e Mbikëqyrjes. Në të njëjtën kohë ajo fitoi një program 6-mujor “Think Tank Development Program”, nga Fondacioni Soros, Budapest. Ndër të tjera, iu rikthye universitetit ku mbaroi studimet si lektore me kohë të pjesshme. Përpara se – duke cituar titujt e portaleve – të katapultohej në Ministrinë e Brendshme, ishte punonjëse në kryeministri si pjesë e programit të lidershipit Lead Albania, i financuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.
Elena Picin nuk e kam mikeshë, nuk e njoh personalisht dhe për herë të parë emrin e saj e ndesha nëpër titujt që na rikthyen te skenat e flirtimit nëpër klipe, por megjithatë nuk më duhet ta njoh për të kuptuar se është thjesht një grua e re në të 30-at që punon, si shumë të tjerë, dhe gëzon një post të rëndësishëm. E nëse këtë post nuk e gëzon falë punës, a nuk duhet të investigojmë këtë gjë? Të qenurit te klipi i Albanit një dekadë më parë është thjesht shumë zhurmë për asgjë.