AC Milan ka kaluar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve për herë të parë që prej vitit 2007, në vitin kur edhe ishte shpallur kampion i Evropës.
Skuadra e drejtuar nga Stefano Pioli e eliminoi sonte Napolin në çerekfinale të kësaj gare.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Diego Armando Maradona” përfundoi me rezultatin 1:1.
Por, kampioni në fuqi i Italisë kalon tutje me rezultatin e përgjithshëm 1:2, falë fitores minimale që kishte arritur në “San Siro”.
Për “Rossonerët” goli u shënuar nga Olivier Giroud (43’). Sulmuesi francez kishte rast të mirë shënimi edhe në minutën e 22-të, por nuk ia doli të shënonte nga penalltia. Goditja e tij u prit nga Alex Meret.
Një penallti e humbën edhe napolitanët në pjesën e dytë, saktësisht në minutën e 81-të. Goditja e Khvicha Kvaratskhelia u prit nga Mike Maigna.
Vendasit ia dolën të barazonin rezultatin në fundin e ndeshjes përmes Victor Osimhen (90+3’), por që nuk ishte i mjaftueshëm.
Milani në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve do të takohet me fituesin nga përballja mes Interit dhe Benficas.
Ndeshja e parë çerekfinale mes këtyre dy skuadrave u fitua nga “Nerazzurrët” me rezultatin 2:0. Ndeshja e dytë do të zhvillohet nesër mbrëma.
Në Londër, Real Madridi ka kaluar pa ndonjë problem në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Kampioni në fuqi e ka eliminuar Chelsean në fazën çerekfinale të kësaj gare.
Ndeshja e zhvilluar sonte në “Stamford Bridge” përfundoi me rezultatin 0:2.
Me të njëjtin rezultat “Los Blancos” kishin triumfuar edhe në ndeshjen e parë, për të kaluar kështu në gjysmëfinale me rezultat të përgjithshëm 4:0.
Për skuadrën e Carlo Ancelotti sonte të dy golat e fitores u shënuan nga Rodrygo, në minutat 58 dhe 80.
Real Madridi në gjysmëfinale do të takohet me fituesin mes Bayern Munichit dhe Manchester Cityt.
Ndeshja e parë çerekfinale mes këtyre dy skuadrave u fitua nga “Qytetarët” me rezultatin 3:0. Ndeshja e dytë do të zhvillohet nesër mbrëma.