Grabitjet e vjedhjet në lokale, sheshe e hapësira të ndryshme publike po cenojnë sigurinë e qytetarëve. Viktimat jo rrallëherë bien edhe pre e mashtrimeve dhe për pasojë plaçkiten. Një rast i tillë ndodhi të mërkurën në mbrëmje, në fshatin Varosh të Ferizajt, për çka Policia tashmë ka nisur hetimet në koordinim me Prokurorin e Shtetit.
Si në filma, një çift që shkoi atje nga Prishtina, u përballë me të dyshuarit e maskuar e të armatosur.
Sinjali ka mësuar se dy viktimat morën rrugën për Ferizaj, ku kishin për t’u takuar me disa persona, me të cilët u morën vesh për shitjen e një shume të dollarëve amerikanë.
Takimi mes tyre u caktua pikërisht në fshatin Varosh, ku të dyshuarit kërkuan nga çifti që të shkonin atje për ta kryer ‘punën’.
Të njëjtat burime thonë se viktimat përfunduan në një rrugicë të këtij fshati dhe papritmas dolën të dyshuarit me maska e armë duke kërkuar para, por që burri arriti të ikë, duke e lënë të dashurën në veturë.
Personat e dyshuar e shfrytëzuan mundësinë që ta kërcënojnë vajzën, të cilës ia morën një telefon dhe u zhdukën.
Viktimat e denoncuan rastin dhe kërkuan ndihmën e Policisë, ku edhe kanë dhënë deklaratat e tyre për atë që kishte ndodhur.
Si rezultat i raportimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar hetimi dhe po ndërmerren veprimet e nevojshme për identifikimin e personave të dyshuar.