“Shqiponjat dykrenare” të Xhakës dhe Shaqirit kanë lënë me pasoja të rënda serbët, që herë pas hëre nuk ngurojnë ta shfrenojnë fantazinë duke prodhuar intriga nga më të çuditshmet.
Si për ironi të fatit, shorti i Botërorit “Katar 2022”, vuri sërish përballë Serbinë dhe Zvicrën, që së bashku me Brazilin dhe Kamerunin formuan Grupin G. Menjëherë sapo goglat zbuluan kundërshtarët, sapo u mësua se Zvicra do të përballej me Serbinë, nuk mund të lihej mënjanë fitorja dramatike e Zvicrës në Botërorin e kaluar dhe festa me shqiponjë e Xhakës dhe Shaqirit. Hijet e kësaj feste madhështore që bëri xhiron e botës, vijojnë t’i ndjekin edhe sot e kësaj dite serbët.
“Kurir.rs”, teksa analizoi këtë përballje, nuk nguroi ta shfrenonte fantazinë, duke e cilësuar Granit Xhakën, si zviceran me origjinë nga Serbia.
Në një artikull të botuar ditën e sotme (1 prill 2022, ora 20:53), media serbe shkruan se Xhaka ka lindur në Serbi në Podujevë, por ka shkuar herët në Zvicër me prindërit e tij dhe ka luajtur për kombëtaren helvete. Një provokim i ulët ky i “Kurir.rs”. Mesa duket festa me shqiponjë në Botërorin e kaluar, nuk ka mjaftuar që serbët ta kuptojnë se çfarë është Xhaka. Me siguri mesfushori shqiptar do e ketë rezervuar një tjetër gol në sfidën e 2 dhjetorit, për t’i dhënë një tjetër goditje fatale Serbisë.