Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit ka publikuar disa pamje tronditëse nga përplasja me Armeninë në rajonin e Karabakut. Siç shihet në video, një dron është duke vëzhguar ushtarët armenë teksa shkarkojnë një kamion në bazën e tyre ushtarake.
Pak momente më pas droni qëllon duke shkatërruar kamionin ndërsa një numër i madh ushtarësh fluturojnë në ajër. Armenia ka akuzuar Turqinë se është ajo që po mbështet me dronë Azerbajxhanin. Në katër ditë luftime në Nagorno Karabak raportohet të kenë humbur jetën një numër i madh ushtarësh dhe civilësh. Armenia është një vend me shumicë të krishterë, ndërsa Azerbajxhani është një komb me shumicë myslimane. Gjatë periudhës Sovjetike, Nagorno-Karabakh. ishte një rajon me shumicë etnike armene, i kontrolluar nga autoritetet e Azerbajxhanit.
Ndërsa Bashkimi Sovjetik filloi të shkatërrohej në fund të viteve 1980, parlamenti rajonal i Nagorno-Karabakh votoi për t’u bërë pjesë e Armenisë. Kjo çoi në përplasje etnike dhe pasi Armenia dhe Azerbajxhani shpallën pavarësinë nga Moska. Mijëra persona humbën jetën dhe deri në një milion persona u larguan nga frika e spastrimit etnik nga të dy palët.