Kanë përfunduar të gjitha ndeshjet e javës së 28-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Dukagjini ka shënuar fitore me rezultat 1:2 ndaj Prishtinës në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Muhamed Useini shënoi autogol në minutën e nëntë për t’i dhënë epërsinë Dukagjinit.
Barazimi erdhi në minutën e 26-të kur shënoi Mërgim Pefqeli.
Goli i fitores u shënua në minutën e 59-të kur shënoi Altin Merlaku.
Me këtë fitore, Dukagjini tani shkon në kuotën e 38 pikëve në vendin e gjashtë, aq sa ka edhe Prishtina një pozitë më lartë.
Në takimin tjetër, Ferizaj e befasoi sot Gjilanin, duke e mposhtur me rezultat 2:0.
Halili kaloi vendasit në epërsi në minutën e 30-të, kurse fitoren e vulosi Ramusa në të 53-tën.
Kjo fitore e ngjit Ferizajn në pozitën e shtatë në tabelë me 31 pikë.
Në anën tjetër, Gjilani mbetet i treti, por tani me vetëm një pikë më shumë se Llapi dhe me dy pikë më shumë se Prishtina e Dukagjini.
Fitore sot shënoi edhe Llapi që e deklasoi Drenicën në “Zahir Pajaziti” 4:0.
Gerhard Progni në të 6-tën dhe Firmino në të 44-tën shënuan dy golat e pjesës së parë.
Në 10 minutat e fundit Llapi shënoi edhe dy herë. Festim Alidema realizoi në të 81-tën, kurse Kurtaj shënoi për epilogun e ndeshjes katër minuta më vonë.
Me këtë fitore, Llapi shkon në kuotën e 39 pikëve në vendin e katërt, kurse Drenica e fundosur në pozitën e 10-të me vetëm 23 pikë të grumbulluar.