Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ka thënë se zbatimi i plotë i pakos emergjente ekonomike varet nga rishikimi i buxhetit të shtetit nga ana e Kuvendit të Kosovës.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epokën e re”, Krasniqi ka thënë se janë duke i shikuar të gjitha mundësitë që të zbatohet kjo pako, nga e cila përftojnë edhe punëtorët e sektorit privat.
“Jemi duke u munduar ta bëjmë këtë në bazë të ligjit, duke bërë edhe ndonjë lirim të mjeteve mbi bazën e buxhetit origjinal. Me fjalë të tjera, bashkërisht me ministrinë tonë jemi duke bërë përpjekje të lirojmë mjete. Do të vazhdojmë ta paguajmë edhe një pjesë të punëtorëve, por që të përfundojë e gjithë pakoja ne jemi duke pritur procesin e rishikimit të buxhetit të shtetit”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka bërë me dije se për shkak të mosrishikimit të buxhetit një pjesë e pagesave që dalin si obligime nga pakoja emergjente do të jenë të pamundura të bëhen. “Në rast se shtyhet rishikimi i buxhetit, do të mbesin një pjesë e masave pa u paguar. Një gjë e tillë do të vlejë deri në kohën e rishikimit të buxhetit dhe pas aprovimit të rishikimit të buxhetit nga Kuvendi ne si ministri do t’i përfundojmë të gjitha pagesat”, është shprehur Krasniqi.
Më tutje, Krasniqi ka folur edhe rreth mundësisë së hyrjes në borxh publik për ta zbatuar pakon emergjente ekonomike. Në kontekst të kësaj, Krasniqi ka përmendur edhe marrëveshjet financiare ndërkombëtare të cilat Kuvendi i Kosovës nuk është duke arritur t’i ratifikojë.