Ndarja nga jeta e George Baldock, tronditi futbollin grek mbrëmjen e së mërkurës. Mbrojtësi i kombëtares së Greqisë, u gjend i pajetë në pishinën e shtëpisë së tij.
Lojtari kishte humbur kontaktet me familjen dhe ishte gruaja e tij, që bisedoi me pronarin e banesës ku jetonte Baldock, duke kërkuar informacion dhe ai gjeti trupin e 31-vjeçarit brenda në pishinë.
Nga autopsia e bërë këtë të enjte, u zbulua se Baldock ndërroi jetë për shkak të mbytjes. Ai kishte gëlltitur shumë ujë, që i shkaktoi mbytjen.
Në fakt ky shkak u mendua që në fillim nga mjekët, pasi trupi i tij nuk kishte shenja, plagë apo mavijosje që të tregonin ndonjë vepër kriminale.
Futbollisti ishte transferuar në verë te skuadra e Panathinaikosit. Ai kishte vendosur të niste një kapitull të ri në karrierën e tij pasi luajti për shtatë vite te skuadra e Sheffield United.
Baldock lindi në Angli dhe e nisi karrierën e tij profesionale te MK Dons, ku qëndroi për tetë vite.
Pas disa transferimeve, ku ai veshi fanellat e Tamworth, Oxford United dhe Northampton, mbrojtësi nisi një kapitull të ri në karrierën e tij në 2017 te Sheffield United në 2017.
Ai bëri më shumë se 200 paraqitje për bardhekuqtë, 83 nga ato në Premier Ligë, ku shënoi dy gola dhe dha 6 asiste, përpara se të pranonte ofertën e bërë nga klubi grek i Panathinaikosit.
Mbrojtësi luajti për kombëtaren greke 12 ndeshje, 4 prej të cilave në këtë sezon. Ai pranoi ftesën për të luajtur me përfaqësuesen helene në Maj të 2022-it, ndërsa debutimin e bëri në sfidën e fituar 1-0 ndaj Irlandës së Veriut. /tvklan.al