Deputeti i LDK-së, Shkëmb Manaj, ka thënë se i kanë numrat për formimin e Qeverisë me Kryeministër Avdullah Hotin.
“Sot është pranuar në Kuvendin e Kosovës aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese edhe formalisht. LDK e ka pasë qëndrim që të mos iniciojë thirrjen e seancës pa ardh aktgjykimi i plotë në Kuvend”.
“Pas konsultave me partnerët e ardhshëm e kemi riincuar kërkesën për seancë dhe kjo do të mbahet të mërkurën në orën 11:00. Të gjitha marrëveshjet politike kanë qenë të përfunduara. LDK dhe partnerët janë të gatshëm që të mërkurën ta zgjedhin qeverinë e re”, është shprehur Manaj.
Ai në KlanKosova është deklaruar rreth situatës me Kryeparlamentaren Vjosa Osmani e cila raportohet se mund të mos e votojë Qeverinë e drejtuar nga bashkëpartiaku i saj, Avdullah Hoti.
“Osmani është deputete e LDK-së dhe një deputet nuk mund ta pengojë formimin e Qeverisë. Kosova do të ketë Qeveri të re, numrat janë të garantuar. Janë mbi 61 që do të votojnë për Qeverinë. Jemi shumë të sigurtë. Besojmë se edhe deputetët e AKR-së do të votojnë për Qeverinë e re”.
“Pavarësisht se mund të ketë deputetë të LDK-së që nuk do të votojnë, qeveria e re do të krijohet. Është çështje procedurash”.