Fotot e një djali të vogël të quajtur Hope tronditën njerëzit në të gjithë botën në fillim të vitit 2016. Në foto shihet fëmija i kequshqyer dhe themeluesja e bamirësisë DINNødhjæl, Anja Ringgren Lovén po i jepte ujë.
Hope u braktis dhe u la në mes të 4 rrugëve në Nigeri nga prindërit e tij të cilët mendonin se ai ishte një shtrigë.
“Hope ishte në një gjendje të tmerrshme kur e shpëtuam. Ai ishte kequshqyer dhe kishte sëmundje të shumta. Dy javët e para ai u shtrua në spital sepse ishte në një gjendje kritike. Ne nuk e dinim nëse ai do të mbijetonte apo jo”, është shprehur Anja.
Hope u mor nga Anja, e cila ka ndihmuar qindra fëmijë të braktisur gjatë tetë viteve të fundit. Që nga viti 2016 Hope ka qenë nën kujdesin dhe është edukuar nga kjo organizatë bamirësie dhe ka pësuar një transformim të pabesueshëm.
“Hope është shumë i shëndetshme dhe i pëlqen të shkojë në shkollë. Ai është shumë inteligjent dhe pasioni i tij është arti dhe të jetë krijues. Ai është jashtëzakonisht i talentuar në art dhe shumë nga pikturat e tij janë shitur. Ne e quajmë Picasso tonë të vogël. Hope nuk i ka takuar kurrë prindërit e tij dhe organizata nuk ka arritur të gjurmojë ndonjë nga të afërmit e tij. Pavarësisht të shkuarës së tij të frikshme, Hope është në gjendje të shohë fotot e tij në momentin kur është gjetur dhe shpesh herë ai i tregon këto foto dhe buzëqesh duke shfaqur krenari për veten”, është shprehur Anja, e cila është gjithashtu një ambasadore për Federatën Universale të Paqes Ndërkombëtare.
“Ne nuk e kemi rritur Hope me frymën e urrejtjes për prindërit që e braktisën duke e quajtur si magjistar dhe e lanë në rrugë për të vdekur sepse supersticioni shkaktohet nga mungesa e arsimit strukturor, varfëria ekstreme, fanatizmi fetar dhe korrupsioni. Asnjë shoqëri nuk mund të zhvillohet nëse njerëzit e saj janë të privuar nga të drejtat themelore të njeriut të tilla si aksesi në arsim, kujdesi shëndetësor dhe mbrojtja sociale”, ka shtuar më tej ajo.
Akuzat për magji shpesh vijnë nga vdekja ose sëmundja në familje, dështimet e të korrave, probleme të punësimit ose infertilitetit. Fëmijët bëhen kurban dhe markohen si shtriga. Ata zakonisht trajtohen si të dëbuar nga anëtarët e fshatit të tyre.
Anja dhe ekipi i saj kanë shpëtuar më shumë se 300 fëmijë dhe ajo aktualisht kujdeset për 76 fëmijë në qendrën më të madhe të fëmijëve në Afrikën Perëndimore.
Midis tyre ka vajza deri në moshën nëntë të cilat janë torturuar, abuzuar seksualisht dhe madje janë varrosur të gjalla para se të shpëtonin nga fatet e tyre të tmerrshme.
“Arsimi është investimi më i fuqishëm në një shoqëri dhe arma më e madhe kundër injorancës. Për të zgjidhur një problem ju duhet ndërveprimi dhe komunikimi njerëzor. Jo gjykimi. Ne jemi shumë profesionist në punën tonë. Ne kemi nevojë për të ndihmuar fshatarët dhe për të ndryshuar mendimin e tyre”, ka përfunduar Anja. /tvklan.al