Gjashtë gra ukrainase kanë shpërndarë një mesazh të fortë, ku thonë se do të hakmerren për çdo fëmijë të vrarë nga pushtuesi rus në vendin e tyre.
Në videon që u postua në rrjetin social TikTok, gjashtë gratë ukrainase shihen teksa mbajnë në duar armë të llojit mitralozë dhe pushkë, teksa janë të veshura me veshje ushtarake, raporton Daily Mail.
Në sfond shihet flamuri ukrainas dhe ato dëgjohen teksa thonë se do të shkatërrojnë armikun në çdo pëllëmbë të tokës së Ukrainës.
Videoja fillon me një grua, fytyra e së cilës është e mbuluar nga një shall, duke thënë: “Ne jemi gratë e Ukrainës.” “Ne i kemi bekuar burrat tanë për të mbrojtur tokën tonë.” “Tashmë veçse i kemi siguruar edhe fëmijët tanë, është koha t’u bashkohemi burrave dhe ushtrisë ukrainase.”
Në videon e cila është titruar edhe në anglisht, gratë thonë se kanë pasur përvoja lufte edhe më parë, kështu që nuk do të qëndrojnë më pasive dhe do ta “mbrojnë vendin e tyre nga armiku”.
Tutje, ato shtuan: “Ne do ta shkatërrojmë armikun në çdo pëllëmbë të tokës ukrainase.” “Në çdo qytet, fshat, pyll dhe fushë. Për çdo fëmijë, grua, plak, shtëpi dhe rrugë të dëmtuara – ne do t’ju qëllojmë si qen të tërbuar.”
Videoja përfundon me mesazhin: “Lavdi Ukrainës – vdekje armiqve”
Mesazhi vjen pasi më shumë se një milion refugjatë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë larguar nga vendi duke ikur nga sulmi rus në Ukrainë, që po konsiderohet si kriza më e madhe njerëzore që nga Lufta e Dytë Botërore.