Drita ka shënuar fitore me rezultat 2-0 në shtëpi ndaj Ballkanit në kuadër të javës së 24-të në elitën e futbollit kosovar.
Pjesa e parë u zhvillua kryesisht me duele në mesfushë, por pa prodhuar në ndonjë rast aksion të rrezikshëm për gol.
Gjërat për Ballkanin u vështirësuan në pjesën e dytë kur në minutën e 64-të mbetën me një lojtar më pak në fushë pas përjashtimit të Gentrit Halilit.
Pas këtij momenti Drita e shfrytëzoi avantazhin numerik në fushë, duke filluar sulmet në drejtim të portës së Ballkanit.
Po luhej minuta e 77-të e takimit kur Veton Tusha bëri një gjuajtje e cila kaloi nëpërmjet një grumbulli lojtarësh dhe në fund përfundoi në portë për 1-0.
Për të vulosur përfundimisht fitoren e Dritës u përkujdes Kastriot Selmani i cili në minutën e 89-të për rezultatin 2-0.
Pas kësaj fitoreje Drita shkon në kuotën e 53 pikëve të grumbulluara, ndërsa Ballkani numëron 38 sosh.
Ferizaj ka fituar me rezultat të ngushtë 2-1 përballjen ndaj Llapit, të vlefshme për javën e 24-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.
Ferizaj ka marrë tri pikë shumë të mëdha në shtëpi duke u distancuar momentalisht nga zona e rrezikshme.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të hapur dhe raste nga të dyja skuadrat, ku u shënuan edhe dy gola.
Goli i parë i ndeshjes u shënua pas 11-të minutave lojë me anë të Valmir Nafiut, i cili shënoi për epërsinë 1-0, ndërsa Blendi Baftiu (17’) barazoi shifrat në 1-1.
Megjithatë, Antonio Ilieski (42’) u përkujdes për golin e dytë duke dërguar Ferizajn në pushim me epërsi 2-1.
Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e mbyllur, por më e ashpër dhe hera herës me tensione.
Pas 45 minutave të dytë nuk pati gol dhe Ferizaj mori në fund tri pikë të vlefshme pas një fitore 2-1.
Pas kësaj fitore, Ferizaj e sheh veten në pozitën e pestë me 32 pikë, ndërsa Llapi renditet i teti me 26 pikë.
Në ndeshjen e ardhshme, ferizajasit luajnë në udhëtim te Ballkani, teksa llapjanët e presin Suharekën.