Dukagjini, që po shkruan historinë duke garuar për herë të parë në garat evropiane, sonte do ta zhvillojë ndeshjen e parë në kuadër të rrethit të dytë kualifikues në Ligën e Konferencës.
Skuadra nga Klina do të përballet me Rijekën e Kroacisë.
Ndeshja e parë do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim prej orës 20:00.
Për dallim nga Rijeka, që shkoi direkt në raundin e dytë, Dukagjini luajti edhe në raundin e parë, ku eliminoi Europan e Gjibraltarit.
Gjatë ditës së djeshme në konferencë për media u paraqit Armend Dallku.
Trajneri i Dukagjinit theksoi se janë të lumtur për arritjen deri këtu, teksa shtoi se ndaj Rijekës synojnë të nxjerrin rezultat pozitiv.
“Për ne është historike sa i përket përfaqësimit si klub ose si rajon i Dukagjinit, duke pasur parasysh se është hera e parë në këto kompeticione. Kemi bërë më të mirën e mundshme sa i përket kalimit të turit të parë. Kështu që për neve ka qenë esenciale. Jemi jashtëzakonisht të lumtur që kemi arritur në turin e dytë dhe shpresojmë të bëjmë paraqitje të mirë, t’i kënaqim ata tifozë që do të vijnë. Me disiplinë shumë të hekurt sa i përket anës tonë, për këto ditë sa kemi pasur mundësi të kërkojmë nga lojtarët tonë, të dalim me rezultat pozitiv”, tha fillimisht ai.
Bujar Shabani do t’i mungojë “Hithave” shkaku i suspendimit. Dallku vlerësoi se kjo është mungesë e madhe për ekipin e tij.
Në dyshim janë edhe Arbër Shala e Ahmed Januzi.
“Problematikën kryesore e kemi pasur rikuperimin e ekipit, marrë parasysh që kemi pasur një udhëtim jashtëzakonisht të gjatë, jashtëzakonisht të mundimshëm. Ato kanë qenë mundësitë tona të vetme për të arritur në Gjibraltar dhe për t’u kthyer. Jemi munduar këto ditë, aq sa kemi pasur mundësi, t’i rikuperojmë djemtë. Bujari është mungesë relativisht e madhe për neve. Bujari është prej lojtarëve që në këto kompeticione, ka qenë ndër të vetmit që ka pasur shumë ndeshje në këmbë”, deklaroi Dallku.