Kanë përfunduar tri përballjet e fundit të javës së 22-të kampionale në Superligën e Kosovës në futboll.
Ballkani ka barazuar 1:1 me Dukagjinin në stadiumin e qytetit në Suharekë, shkruan Demokracia.com.
Kampionët në fuqi u gjendën në disavantazh në minutën e 18-të kur Oto John realizoi për Dukagjini.
Lojtari më në formë kohëve të fundit për suharekasit, Albion Rrahmani barazoi rezultatin në minutën e 55-të dhe njëherit vulosi epilogun final.
Prishtina e Ismet Munishit në anën tjetër ka shënuar fitore të madhe në Podujevë kundër Llapit me rezultat 0:2.
Albin Prapashtica ndëshkoi llapjanët në minutën e 41-të, ndërkohë në minutën e dytë shtesë të fraksionit të parë Krasniqi shënoi golin e qetësisë. Në pjesën e dytë gola nuk pati dhe pikët e plota i mori skuadra kryeqytetase.
Fitore veçse minimale ka marrë edhe skuadra e Gjilanit. Ekipi “kuqebardhë” fitoi 1:0 kundër Trepçës ’89 në stadiumin ndihmës në Gjilan.
Albert Dabiqaj ishte autor i golit të fitores për vendasit.