Dy lojtarë thuhet se nuk donin të ekzekutonin penalltinë gjatë përplasjes dramatike në çerekfinale të Ligës së Kampionëve mes Manchester Cityt dhe Real Madridit.
Me rezultatin e përgjithshëm 4-4 pas 210 minutash lojë, ndeshja do të vendosej me penallti në Etihad Stadium.
Reali do të fitonte 4-3 pas goditjeve nga pika e bardhë, pas humbjeve të kushtueshme nga Bernardo Silva dhe Mateo Kovacic.
Los Blancos kishin humbur së pari kur Ederson priti goditjen e 38-vjeçarit Luka Modric, por Reali ktheu në gol çdo përpjekje tjetër pas kësaj.
Zgjedhjet e penalltive në të dyja anët ishin paksa befasuese, veçanërisht me portierin e Cityt, Ederson, që gjuajti dhe shënoi me qetësi nga 11 metra.
Por, doli se për Real Madridin, dy lojtarë refuzuan mundësinë për të ekzekutuar një penallti.
Sipas gazetës Marca, Federico Valverde dhe Eder Militao nuk dëshironin të merrnin detyrat e goditjes së penalltisë.
Reprezentuesi i Uruguait, Valverde, shënuesi i një goli të shkëlqyer në ndeshjen e parë, do të kishte qenë një nga kandidatët kryesorë për të ekzekutuar një penallti.
Megjithatë, ai po luftonte me lodhjen dhe nuk ishte në mesin e pesë lojtarëve.
Përveç kësaj, Eder Militao gjithashtu nuk donte një penallti edhe pse hyri vetëm si zëvendësues në minutën e 110-të.
Thuhet se ish-lojtari i Portos nuk ishte i sigurt përballë bashkëlojtarit të tij e kombëtarja e Brazilit, Ederson, të cilin e njeh shumë mirë.
Në vend të kësaj, Modric dhe Lucas Vazquez u përzgjodhën të dy – me këtë të fundit që shënoi me gjakftohtësi penalltinë e tij.
Ndryshe, 14 herë kampioni i Evropës tani do të takohet me Bayern Munich në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.