Sot u bënë dy vjet nga vdekja e ish-kryetarit të parë të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Bytyqi.
E me rastin e përvjetorit të dytë të vdekjes së Bytyqit, i pari i FFK-së, Agim Ademi e ka kujtuar atë përmes një shkrimi të publikuar në faqen zyrtare të FFK-së.
Artikulli i plotë:
Ai ishte njeri i urtë, por shumë vizionar e guximtar. Së bashku me shumë punëtorë sportivë, ai, i vuri themelet e Federatës së Futbollit të Kosovës, në një periudhë shumë të vështirë e nën masat e represionit të regjimit të egër serb.
Misioni i tij nuk ishte i lehtë, por u jetësua falë guximit, mbështetjes dhe vendosmërisë së gjerë të komunitetit të futbollit.
Nga ajo periudhë futbolli i Kosovës rrugëtoi i pavarur dhe përkundër vështirësive dhe peripecive të ndryshme e arriti objektivin për të qenë pjesë e organizmave ndërkombëtar dhe tani t’i tregojë vlerat e tij.
Kontributi i Agim Bytyqit dhe bashkëkohanikëve të tij do të mbesin përherë në kujtesën tonë.
Agimin e njoha që nga ditët e para të mëvetësimit të futbollit. Ishte njeri me personalitet të lartë intelektual, por edhe guximtar dhe atdhetar.
Veprimtaria e tij do të jetë shembull për të gjithë ne dhe do të kujtohet përherë në historinë e futbollit tonë.
I përhershëm kujtimi për Agim Bytyqin!
Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së