Sulmuesi i krahut, Ermal Krasniqi mund të largohet nga skuadra e Clujit pas vetëm gjashtë muajve.
Sajti rumun “Sportmedia” ka shkruar të hënën se te Cluji tashmë janë përgatitur për largimin e Krasniqit në verë. Mësohet se klubi rumun tashmë ia ka caktuar çmimin dhe për ta lënë të lirë Krasniqin po kërkon hiq më pak se 5 milionë euro. Krasniqi në afatin kalimtar të janarit iu bashkua Clujit nga Ballkani i Suharekës dhe po shkëlqen me paraqitjet e tij.
Aktualisht, ai është lojtari më në formë i Clujit, ndërsa mësohet se interesim për të ka shprehur edhe skuadra nga Serie A, Lazio. Lazio e eliminoi Clujin në plejofin e Ligës së Konferencës, ndërsa Krasniqi ishte ndër më të dalluarit në fushë tek ekipi rumun.
Krahas Lazios, për 24-vjeçarin interesim kanë shfaqur edhe Torino, Sassuolo, Udinese e Genoa. Ai ka 2 gola dhe 1 asistim deri më tani për Clujin, ekip me të cilin ka kontratë deri në vitin 2026. Cluji për ta transferuar nga Ballkani, ka paguar 200 mijë euro për kartonin e Krasniqit.