Silvinjo do të debutojë sot në shtëpi para tifozëve në ndeshjen ndaj Moldavisë. Ndryshe nga shumë trajnerë të tjerë që në Shqipëri vinin për grumbullimet, Silvinjo po qëndron me kohë të plotë dhe tashmë i ka shprehur edhe Armand Dukës një dëshirë të madhe… të rikthejë në skuadër Taulant Xhakën.
“4-4-2.ch” raporton se trajneri brazilian i ka kërkuar Dukës që të bisedojë edhe një herë tjetër me mesfushorin e cili pak kohë më parë vendosi të tërhiqej nga Kombëtarja. Ai synon që Xhaka të kthejë pas këtë vendim dhe të jetë nën urdhrat e tij për ndeshjet e radhës, duke filluar që nga shtatori.
Xhaka ka qenë një nga më të rëndësishmit në skuadrën tonë, duke u aktivizuar në 30 ndeshje ndërkohë që marrëdhënia jo e mirë me trajnerin Edi Reja, bëri që të vendoste përfundimisht që të tërhiqet nga kuqezinjtë. Tashmë, me ndërrimin e trajnerit me shumë gjasa do të bëhet edhe ndërrimi i vendimit të Xhakës.