Që Rodri është gurthemeli i të gjithë strukturës së Manchester City, ky është një fakt i pamohueshëm. Mesfushori spanjoll është “motorri” i një skuadre që, pavarësisht se ka shumë pjesë që shkëlqejnë, nuk bën dot pa të në formacionin titullar.
Mënjanë ndjesitë dhe shijet, numrat e Rodrit janë të pakontestueshëm. Autori i golit që i dha Ligën e parë të Kampionëve në histori klubit nga “Etihad” ka luajtur tashmë 247 ndeshje nën urdhërat e Guardiolës.
Manchester City ka mbetur i pamposhtur në 63 ndeshje në Premier League, me Rodrin në fushë. Një moment historik që nuk është parë kurrë në historinë e futbollit anglez. Kjo ka bërë që bordi i City të propozojë një kontratë të re për lojtarin spanjoll, duke e ngritur atë në nivelet që meriton.
Sipas “The Sun”, Rodri fiton aktualisht rreth 180.000 £ në javë, por oferta e re do të shohë që kjo shifër të rritet në rangun e 300.000 £. Një shumë që do ta vendoste atë në mesin e 10 lojtarëve më të paguar në Premier League, duke e barazuar me Rashford dhe Grealish, vetëm pas emrave si De Bruyne, Haaland, Salah, Casemiro apo Varane.
Një kontratë që do ta mbante Rodrin të lidhur me Manchester City përtej vitit 2029, me të cilën do të bëhej edhe “pronar” i shiritit të kapitenit. Klubi është i bindur se kur De Bruyne dhe Walker t’i japin fund kohës së tyre në “Etihad”, spanjolli thirret të jetë lideri i ri brenda dhe jashtë fushës.
Klubi shpreson të nënshkruajë një marrëveshje të shpejtë rinovimi, sapo të fillojnë bisedimet. Kësisoji do të “blindojë” atë që është padyshim tashmë mesfushori më i mirë në botë sot.