Individë dhe grupe të interesit, të cilat luftojnë për të marrë drejtimin e FFK-së, ka kohë që nuk kanë kursyer madje as ekipin kombëtar për të njollosur punën e drejtuesve të federatës. Megjithatë, zërave të fundit për mungesë të kushteve në Kombëtare dhe atmosferë jo të mirë iu kanë kundërpërgjigjur vetë futbollistët dardanë.
Kapiteni i Kombëtares, Amir Rrahmani në një prononcim për Futbolli.info ka thënë se në aspektin organizativ FFK ka pasur ngritje të madhe në vitet e fundit.
“Në aspektin organizativ është normale që kemi pasur goxha ngritje viteve të fundit dhe përkrahja nga Federata ka qenë për t’u çmuar në çdo aspekt të pjesës organizative, sepse na janë ofruar kushtet më optimale të mundshme. Për ne si futbollist, trajtimi që e marrim në ekip nga stafi dhe Federata është krucial që të mund të kemi paraqitje sa më të mirë të mundshme”, ka theksuar Rrahmani, i cili me ekipin e tij Napoli po kalon në formë të shkëlqyeshme.
“Ka më shumë se 4 vite që udhëtojmë gjithnjë me aeroplan vetëm për ekipin, siç është normale në botën moderne të futbollit, e po ashtu akomodimi dhe gjithçka rreth nevojave të ekipit bëhet në formën më të mirë të mundshme, prandaj lirisht mund të them se të gjithë futbollistët janë të lumtur dhe falënderues ndaj FFK-së në këtë aspekt”, ka shtuar kapiteni i Dardanëve.