Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka kërkuar që të largojë orën policore në të gjitha qytetet, si dhe ka thurur kritika për qeverinë aktuale për, siç thotë ai, keqmenaxhim të pandemisë.
Bahtiri ka vlerësuar se ora policore po e nxit stresin e depresionin tek qytetarët, si dhe i ka cilësuar si të pavlefshme masat e reja të qeverisë në nivele komunale. Kjo, sipas tij, nuk zvogëloi aspak numrin e rasteve.
Reagimi i tij vjen pas konfirmimit të Ministrit të Shëndetësisë përgjatë ditës së sotme për largimin e Mitrovicës së Jugut nga zona e kuqe në zonën e verdhë të rrezikshmërisë.
Reagimi i plotë:
Qeveria ilegale që me mandat të vjedhur uzurpoi objektin e Qeverisë dhe mbajti peng në mënyrë të paligjshne ekzekutivin e vendit, jo vetëm që udhëhoqi në mënyrë katastrofale me vendin, por edhe tentoi që përmes përpjekjeve të ulta t’i vendos përpara aktit të kryer qeverisjet komunale.
Qytetarët e Mitrovicës dhe mërgimtarët tanë të dashur, janë lodhur nga ky keqmenaxhim i pandemisë. Orët policore tashmë janë bërë të bezdisshme, ato kanë mbjellur farën e depresionit, stresit dhe ngarkesës psiqike tek të gjithë ne. Ora policore asnjëherë nuk i uli rastet e prekura me virus, sepse në fakt kjo masë ishte vetëm sa për sy e faqe, në mungesë të një vizion të duhur për menaxhimin e pandemisë.
Nuk mjafton që sot është hequr ora policore në Mitrovicë, por ajo duhet të largohet si masë në të gjitha qytetet e Kosovës. Ky është vullnet i qytetarëve, i njerëzve të biznesit dhe mbi të gjitha i bashkatdhetarëve tanë të mrekullueshëm.