Eden Hazard ka njoftuar se është pensionuar nga futbolli.
Sulmuesi anësor belg ishte pa klub që kur u nda me Real Madridin pas përfundimit të kontratës në fund të muajit.
Dhe tash, 32 vjeçari njoftoi se do t’i vendosë këpucët në gozhdë, përkundër faktit se kishte oferta, shkruan “Gazeta Express”.
“Duhet ta dëgjosh veten dhe të thuash ‘mjaft’ në kohën e duhur. Pas 16 vjetësh dhe më shumë se 700 ndeshjesh të luajtura, kam vendosur ta mbyll karrierën time si futbollist profesionist. Isha në gjendje ta realizoja ëndrrën time dhe kam luajtur dhe jam zbavitur në shumë fusha dhe stadiume përreth botës”, shkroi ish-futbollisti i Lillet dhe Chelseat në një postim lamtumirës në Instagram.
“Gjatë karrierës sime isha me fat të takoja trajnerë, menaxherë e bashkëlojtarë të mëdhenj. Faleminderit të gjithëve për çdo gjë për këto kohëra të arta, do të më mungoni shumë”, shtoi tutje legjenda e Chelseat.
“Dua t’i falënderoj krejt klubet ku kam luajtur: LOSC, Chelsea e Real Madrid. Dua ta falënderoj edhe Federatën Belge të Futbollit për paraqitjen time në Kombëtaren e Belgjikës. Një falënderim special për familjen time, për miqtë, këshilltarët dhe për njerëzit që ishin afër meje në kohëra të mira dhe të këqija”, vazhdoi Hazard.
Hazart ka fituar trofe të shumtë në karrierë, ndërsa kulmin e karrierës 16 vjeçare e kishte arritur tek “Blues”
Ndërkaq, eksperienca e tij në Real Madrid ishte totalisht dëshpëruese pasi nuk arriti asnjëherë të linte gjurmë në “Santiago Bernabeu”.