Ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, për organizimin e tubimit të sotëm në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Ajo në një shkrim të publikuar në llogarinë e saj në Facebook, thotë se ish-kryeministri Albin Kurti për pushtet edhe “vret”, dhe madje, sipas saj, “vret” në masë.
“Sot, në përvjetorin e 21-të, kur SHBA dhe NATO na shpëtuan nga vrasja në masë, nga shfarosja që po bënte Serbia kundër shqiptarëve! Edhe po të mos ketë asnjë të prekur me Covid’ 19 nga ky tubim, vetë mbajtja e tij flet shumë”, shkruan ajo në Facebook.
Ja shkrimi i saj:
Rrnoftë partia!
Me sa po shihet nga tubimi i sotëm i VV-së, në kohë pandemie, Albini për pushtet edhe “vret”, madje “vret” në masë. Sot, në përvjetorin e 21-të, kur SHBA dhe NATO na shpëtuan nga vrasja në masë, nga shfarosja që po bënte Serbia kundër shqiptarëve! Edhe po të mos ketë asnjë të prekur me Covid’ 19 nga ky tubim, vetë mbajtja e tij flet shumë.
Në tubim, asnjë simbol, asnjë flamur i shtetit tonë, Kosovës. Pastaj, akuzojmë Rakiqin e tjerë! Mos të harrojmë: Albini dhe shumë eksponentë të VV-së janë “qiraxhinj”. Populli i Kosovës nuk ka shtet tjetër dhe shtëpi tjetër pos Kosovës dhe shtëpive të tyre në të.
#MT