Profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, ka folur për zhvillimet e fundit politike në Kosovë.
Ai ka thënë për gazetën “Bota sot” se zgjedhja e qytetarëve për postin e kryeministrit duhet të jetë ndërmjet Albin Kurtit dhe Avdullah Hotit.
Ben-Meir ka treguar edhe se si qytetarët duhet t’i gjykojnë kandidatët për këtë post, duke përfshirë këtu temat si pandemia, ekonomia dhe korrupsioni.
“Për të gjitha synimet dhe qëllimet, zgjedhja për Kryeministër duhet të jetë ndërmjet Kurtit dhe Hotit. Dytë kanë disa pika të forta dhe të dobëta. Megjithëse nuk jam në pozitë, e as nuk duhet të jem, për të avokuar për njërin apo tjetrin, qytetarët e Kosovës duhet të gjykojnë kandidatin bazuar në performancën e tyre të kaluar dhe mënyrën me të cilën ata janë marrë me korrupsionin, si po planifikojnë të merren me Coronavirusin, cila është agjenda e tyre ekonomike, dhe po aq e rëndësishme është shkalla e reformave shoqërore dhe politike që ata do të ndërmarrin për të çuar përpara integrimin e Kosovës në BE”, është shprehur profesori.
Ben-Meir ka porositur politikanët e Kosovës, që të shmangin ndikimin e panevojshëm në punët e brendshme dhe të jashtme nga Turqia. Sipas tij, ky shtet po kërkon që të shfrytëzojë dobësitë e Kosovës për t’i shërbyer interesave të veta.
“Së fundmi, unë besoj se pavarësia e vërtetë e Kosovës manifestohet në mënyrën se si lidhet me fuqitë e huaja. Sigurisht, Kosova ka nevojë për mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së, por ajo duhet të shmangë ndikimin e panevojshëm në punët e brendshme dhe të jashtme të saj nga vende si Turqia, që kërkon të shfrytëzojë dobësitë e Kosovës për t’i shërbyer interesave të veta”, ka thënë më tej eksperti amerikan.
Ai ka shtuar se Kurti dhe Hoti duhet t’i artikulojnë pozicionet e tyre në lidhje me këto tema dhe qytetarët t’i gjykojnë ata bazuar edhe nga veprimet e kaluara.
“Sipas mendimit tim, kandidatëve duhet t’u kërkohet të artikulojnë pozicionet e tyre në lidhje me këto çështje dhe ata të gjykohen edhe nga veprimet e tyre të kaluara dhe besueshmëria e tyre”, ka përfunduar për “Bota sot Alon Ben-Meir.
Zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë do të mbahen më 14 shkurt.