Presidenti Erdogan i kujtoi homologut të tij francez, Emmanuel Macron, se Franca ka vrarë një milion algjerianë, 800.000 ruandianë dhe qindra-mijëra libianë, kështu që nuk se çfarë leksioni të japë për historinë.
Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) tha se përpjekja që po bën Turqia është një luftë për vendin dhe të ardhmen.
Duke folur në programin “100.000 anëtarë të rinj në Stamboll” për partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Erdoani tha:
“Qëllimi i atyre që sulmojnë Turqinë me terrorizëm, presion dhe atentate ekonomike është të na dekurajojnë nga qëndrimi ynë dinjitoz dhe i vendosur.”
“Problemin ata nuk e kanë as me AK Partinë e as me Tajip Erdoanin. Problemi i tyre është me popullin tonë, me ekzistencën e Turqisë, duke filluar që nga territori e deri tek shteti i saj. Ata po bëjnë gjithçka për ta nënshtruar e gjunjëzuar Turqinë përmes AK Partisë dhe Tajip Erdoanit”, shtoi ai.
Erdoani tha se lufta nuk është lufta e Tajip Erdoanit për karrierë, por është një luftë që bëhet për vendin dhe të ardhmen e tij, dhe se këtë e dinë të gjithë ata që kanë ndërgjegje dhe mirëkuptim.
Duke iu referuar deklaratave të presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili kishte thënë: “Problemi ynë nuk është me popullin turk, problemi ynë është me Erdoanin, ne duhet ta rrëzojmë Erdoanin”, udhëheqësi turk tha:
“Macron, ti tashmë edhe pak kohë të ka mbetur. Ti do të ikësh. E mban mend se çfarë të kam thënë disa vite më parë? Në një bisedë telefonike, të thashë ‘shiko, ti nuk e njeh fare historinë, kështu që mëso më parë historinë dhe mos i jep Turqisë leksione historie’. Ne ju njohim mirë juve nga Algjeria. Ju vratë një milion algjerianë, ju vratë 800.000 ruandianë. Ne ju njohim nga Libia. Ju vratë me qindra-mijëra libianë. Ju nuk mund të na jepni leksione për njerëzimin. Kur ne shkuam në këto vende si Osmanë, ne çuam atje paqen dhe humanizmin. Së pari, ti duhet ta mësosh këtë. Sigurisht që ata nuk e durojnë dot (Turqinë) dhe kjo është arsyeja përse po çmenden”,- u shpreh Erdoan.