Kampioni i Kosovës, Ballkani, është akomoduar në Ohër të Maqedonisë Veriore, ndërsa ka bërë të ditur se dje ka nisur edhe stërvitjen e parë të plotë me ekipin për tu bërë gati sa më mirë para ndeshjeve verore, kualifikuese për Ligë të Kampionëve.
Ballkani do të pret shortin që hidhet më 20 qershor 2023 për të mësuar kundërshtarin e raundit të parë kualifikues, ndërsa ndër kundërshtarët e mundshëm të tyre ka emra ekipesh të suksesshme në mes të të cilave Qarabag, Ferencvaros, BATE, HJK, ndërsa janë edhe ato rajonale si Partizani, Struga, Ludogorets e Zrinjski.
Skuadra suharekase që drejtohet nga Ilir Daja gjatë këtyre ditëve sa do të jetë në Ohër pritet të zhvillojë disa ndeshje miqësore aty, për të testuar futbollistët, formën si dhe ambientimin e lojtarëve që kanë ardhur rishtazi në klub.
Kujtojmë se Ballkani në stinorin e kaluar kur debutoi në gara evropiane ka arritur të sigurojë fazën grupore të Ligës së Konferencës, duke u bërë ekipi i parë nga Kosova me një arritje të tillë.