Prishtinë – Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, priti sot në vizitë kryetarin e Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, për të diskutuar mbi zhvillimin e futbollit në këtë komunë.
Në fokus të takimit ishte Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Federatës dhe Komunës së Fushë Kosovës, që parashikon ndërtimin e fushave të reja sportive për të përmirësuar infrastrukturën dhe për të nxitur zhvillimin e futbollit në rajon.
Presidenti Ademi vlerësoi përkushtimin e kryetarit Berisha dhe falënderoi komunën për mbështetjen konkrete ndaj sportit dhe të rinjve.
“Është shumë motivuese të shohësh se si institucionet lokale investojnë në sport, një faktor kyç për zhvillimin e shëndoshë të të rinjve dhe për të ardhmen e futbollit tonë,” tha Ademi.
Ky bashkëpunim është pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për të fuqizuar futbollin në Kosovë dhe për të krijuar kushte sa më të mira për talentet e rinj.