Federata e Futbollit e Kosovës vazhdon t’i shërbejë dhe të kujdeset për futbollistet dhe futbollistët kosovarë.
Karshi projekteve të tjera të cilat janë në proces të realizimit, FFK ka arritur të finalizoj projektin e sigurimit shëndetësor të futbollistëve, që ishte si një nga pikat e veçanta në programin “Bashkë për futbollin” të presidentit Ademi për katër vjeçarin e ardhshëm.
Për realizimin e këtij projekti të veçantë është arritur marrëveshja me kompaninë “Sigal Uniqa Group Austria” njëherësh partnere disavjeçare e FFK-së.
Nga ky projekt do të përfitojnë: Superligat e të dy konkurrencave, Ligat e Para po ashtu të të dy konkurrencave si dhe Liga e dytë në konkurencën e meshkujve.
Polica e sigurimit me të cilën do të pajisen të gjithë futbollistët e kategorive të cekura më lartë, do të jetë e kënaqshme, pasi që do të mbulojë lëndimet e zakonshme të futbollistëve dhe njëherësh deri te ato më të kushtueshmet.
FFK uron që futbollistët tanë të kenë shëndetin dhe të punojnë edhe më shumë për ta avancuar futbollin kosovarë tutje dhe për të arritur sa më shumë suksese edhe në arenën ndërkombëtare.