Federata e Futbollit e Kosovës ka nisur një proces shumë të rëndësishëm për të ardhmen e futbollit vendor, rekrutimin e gjyqtarëve të rinj. Presidenti Agim Ademi ka bërë të ditur se sot ka zhvilluar një takim me gjyqtarët elitarë dhe kryetarin e Shoqatës së Gjyqtarëve, Përparim Hasani, lidhur me këtë proces.
Postimi i plotë i Ademit:
Gjyqtarët janë pjesë e pandashme e futbollit dhe roli i tyre garanton drejtësinë dhe rrjedhën e lojës. Prandaj, investimi në gjenerata të reja është investim në vetë të ardhmen e futbollit tonë.
Në këtë drejtim, sot, së bashku me gjyqtarët elitarë dhe kryetarin e Shoqatës së Gjyqtarëve, Përparim Hasani, folëm për të ardhmen e ndarjes së drejtësisë në futbollin tonë.
Ky takim njëherësh shënoi fillimin e një procesi shumë të rëndësishëm, rekrutimin e gjyqtarëve të rinj, të cilët do të jenë gjenerata e së ardhmes në futbollin vendor.
Me përvojën dhe dijen e tyre, gjyqtarët elitarë do të jenë udhërrëfyes, mentorë dhe mbikëqyrës të drejtpërdrejtë të zhvillimit të gjyqtarëve të rinj, duke i ndihmuar ata të rriten profesionalisht dhe të arrijnë standardet më të larta.
Këta mentorë do të vendosin edhe për avancimin e gjyqtarëve në kategori, në bazë të zhvillimit dhe performancës së tyre.
Ky proces lidhet drejtpërdrejt me fushatën e UEFA-s “Be A Referee”, e cila synon të motivojë dhe inkurajojë të rinjtë që të bëhen pjesë e referimit, duke qenë pjesë aktive e lojës më të bukur në botë.
Besoj fuqishëm se përmes këtij angazhimi do të krijojmë një bazë solide për të ardhmen e futbollit kosovar, ku pasioni, profesionalizmi dhe ndershmëria do të jenë gjithmonë në qendër.