Në një atmosferë të ngrohtë dhe festive, Federata e Futbollit e Kosovës organizoi koktejin tradicional të fundvitit me gazetarët sportivë. Këtë vit kjo ngjarje u shënua në ambientet e stadiumit “Fadil Vokrri”, e ku të pranishëm ishin gazetarë të shumtë sportivë nga mediume të ndryshme dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.
Në fjalën e tij, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, vlerësoi lart rolin e gazetarëve sportivë në promovimin e futbollit kosovar dhe të arriturave të federatës.
Ai tha se roli i gazetarë sportivë edhe këtë vit ka qenë i rëndësisë së veçantë në çdo hap të rrugëtimit të futbollit, teksa përmendi të arriturat, por edhe sfidat e FFK-së gjatë vitit që po e lëmë pas.
Në përfundim, presidenti Ademi uroi gazetarët për mbarësi për festat e fundvidit dhe shprehu besimin se bashkëpunimi i ngushtë mes FFK-së dhe komunitetit të gazetarëve sportivë do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme me objektivin e promovimit të futbollit dhe rritjes së tij të mëtutjeshme.