Sezoni evropian i futbollit kulmon me finalen e madhe që do të zhvillohet të shtunën, më 31 maj, mes Paris Saint-Germain dhe Interit.
Ndeshja do të luhet nga ora 21:00 në stadiumin “Allianz Arena” të Mynihut, në një atmosferë të zjarrtë. Kjo është hera e parë që Gjermania pret një finale të madhe evropiane që nga viti kur Barcelona mundi Juventusin 3:1, një dekadë më parë.
PSG siguroi vendin në finale pas një paraqitjeje të fortë në dy ndeshjet gjysmëfinale kundër Arsenalit. Fitorja 1:0 në ndeshjen e parë në “Emirates”, me golin e shpejtë të Dembélés në minutën e katërt, u pasua nga një triumf bindës në ndeshjen e kthimit në “Parc des Princes”. Golat e Ruis (27’) dhe Hakimit (72’) vulosën kualifikimin, ndërsa goli i Saka-s në minutën e 76’të ishte i pamjaftueshëm për londinezët.
Nga ana tjetër, Interi e eliminoi Barcelonën në një gjysmëfinale dramatike. Pas një barazimi spektakolar 3:3 në ndeshjen e parë, zikaltërit triumfuan 4:3 në sfidën e kthimit, duke siguruar kështu një vend të merituar në finalen e madhe.