Skuadra e Dukagjinit nga Klina ka shkruar histori në futbollin e femrave duke fituar për herë të parë Kupën e Kosovës. Në finalen dramatike të zhvilluar të hënën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, klinaset triumfuan pas penalltive ndaj Mitrovicës, me rezultat të përgjithshëm 6-5.
Ndeshja ishte e fortë dhe plot rivalitet, ku pas kohës së rregullt dhe dy vazhdimeve prej nga 15 minuta, rezultati mbeti i barabartë 1-1. Mitrovica kaloi e para në epërsi në minutën e 29-të me golin e Marigona Tahirit, ndërsa Gjenifer Pjetri i dha barazimin Dukagjinit në minutën e 62-të.
Mitrovicaset mbetën me një lojtare më pak pas një kartoni të kuq, gjë që ndikoi në vazhdimësinë e lojës dhe në përballjen e penalltive. Pikërisht në këtë fazë vendimtare, futbollistet e Dukagjinit treguan qetësi dhe përqendrim më të madh.
“Futbollistet e Dukagjinit treguan qetësi dhe saktësi më të madhe, duke arritur të triumfojnë,” thuhet në përshkrimin e ndeshjes.
Mitrovica, e cila më herët kishte fituar titullin e kampionit të Kosovës pas një fitoreje 1-0 pikërisht ndaj Dukagjinit, nuk arriti të përsërisë suksesin edhe në finalen e Kupës. Kësaj radhe, Dukagjini mori revanshin dhe ngriti trofeun, duke kompletuar një sezon të suksesshëm dhe historik për klubin.