Së shpejti brenda organeve të Federatës së Futbollit të Kosovës pritet të votohet Statuti i ri i saj, i cili sipas ekspertëve që e kanë dhënë kontributin e tyre për hartimin e tij, është pakrahasimisht më i mirë por edhe i hormonizuar në plotni me rekomandimet e UEFA-s dhe FIFA-s.
Nevoja për plotësim/ndryshimet në Statutin e ri të FFK-së ka qenë e domosdoshme, jo vetëm për t’iu përshtatur kohës, por edhe edhe për t’u përmirësuar në thelb, pasi që edhe në kohën kur është aprovuar statuti aktual, ka pasur vërejtje të cilat nga vendimmarrësit e kohës (2008) nuk janë marrë parasysh, duke u cilësuar si të parëndësishme, e në fakt kanë qenë disa pika pikërish të cilat kanë nxjerrë shumë telashe dhjetë vite pas, e të cilat z. Fatos Hoxha, i cili ka udhëhequr punimet në hartimin e Statutit të ri, për “Presheva Jonë” ka thënë se ka pasur vërejtje në atë kohë, por që kritikat e tij nuk janë marrë parasysh dhe se statuti ka kaluar me aklamacion.
z. Hoxha tutje ka pasur kritika elementare në Statutin e miratuar në vitin 2008, pasi që ai është marrë i gatshëm nga Federata e Futbollit të Malit të Zi dhe se brenda tij ka pasur edhe probleme elementare gjuhësore, të cilat gjatë përkthimit e kanë humbur apo ndryshuar kuptimin.
“Unë jam ndër njohësit e rrethanave në të cilat është nxjerrë Statuti i vitit 2008, e në të cilin unë i kam pasur vërejtjet e mia. Statuti i vitit 2008 kur është nxjerrë, tekstualisht është i përshkruar nga Statuti i Federatës së Malit të Zi, e që ka qenë kërkesë e kohës, përveq 2-3 neneve në të cilat ka pasur diskutime ku në atë kohë edhe përkundër vërejtjeve të mia në Kuvendin e FFK-së, janë aprovuar sepse shumica e njerëzve që janë marrë me futboll, në atë kohë kanë menduar se këto vërejtje janë shumë të thjeshta dhe se nuk ia vlen të diskutohen”, ka thënë z. Hoxha.
Tutje, z.Fatos Hoxha ani pse thotë se statuti i vitit 2008 ka qenë më i mirë se ai i vitit 2002, prap ka pasur vërejtjet e tij, të cilat nuk janë marrë parasysh
“Sigurisht se ai Statut ka qenë më i mirë se i vitit 2002 kur unë kam qenë sekretar i FFK, pasi në atë kohë në atë statut është paraparë që 15 anëtarë të Bordit njëherit kanë qenë edhe delegatë të Kuvendit të federatës, kjo ka qenë e pakuptueshme, shumë e keqe për futbollin. Pastaj statuti është marrë i gatshëm prej Malit të Zi, është përkthyer gabimisht, nuk është përkthyer siç duhet, në disa pjesë terminologjia e gjuhës është e gabuar dhe sot kemi arritur në problemet që janë krijuar shkaku i atyre gabimeve”, tha ai.
Në lidhje me mos-përmbajtjen e afateve kohore në përpilimin e statutit të ri, z. Hoxha ka thënë se ata njerëz që flasin nuk kanë lidhje me rrjedhat e punës që kanë ndodhur gjatë krejt gjashtë apo shtatë muajve të fundit, ku janë mbajtur 2-3 takime me njerëzit e UEFA-s dhe FIFA-s, me të cilët është diskutuar statuti.
”Më vjen keq që më duhet ta sqaroj, por statutin e FFK-së nuk e aprovon ministria, por e aprovon UEFA. Unë jam anëtar i Komisionit për Ndryshim të Statutit dhe unë po ju them se ka 2-3 herë brenda gjashtë muajve që kemi pasur takime me njerëzit eminent të UEFA-s, të cilët na i kanë rekomanduar ndryshim-plotësimet. Është punuar ndoshta më shume se gjashtë muaj dhe ju siguroj se është i rekomanduar nga një trup i caktuar i UEFA-s, i caktuar për Statutin e ri. Nuk ka mund të them shumë ndryshime, të cilat mund të diskutohen, por absolutisht është ndër dokumentet më profesionale ndonjëherë i punuar për futbollin e Kosovës.Besoj se ato dilema të cilat kanë qenë në të kaluarën do të eliminohen me Statutin e ri. Do të thoja se ka ndoshta edhe nevojë për ndryshime shtesë, por që ne si futboll i Kosovës ende nuk jemi gati t’i bëjmë”, ka përfunduar Hoxha.
Edhe epskerti tjetër ligjor, pjesë e përpilimit të Statutit të ri, z. Isuf Ajeti, sikurse z. Hoxha ka folur për Statutin e ri të FFK-së, ku ka konfirmuar se gjithçka është në koordinim të plotë me organet më të larta të UEFA-s dhe FIFA-s, duke pohuar se dokumenti është dërguar atje, e është kthyer disa herë, pastaj është ridërguar me përmirësime në bazë të rekomandimeve të UEFA-s dhe FIFA-s.
“Statuti prej Komisionit ka shkuar në UEFA e FIFA, të cilët më pas kanë dhënë vërejtjet dhe plotësimet, e të cilat me përmirësime ku ka pasur nevojë i kemi ridërguar si të plotësuara. Për momentin Statuti është në harmoni të plotë me strategjinë e UEFA-s sa i përket akteve normative të brendshme tona. Statuti si akt më i lartë është në harmoni me rekomandimet e UEFA-s përmes ekspertëve të tyre. Ministria ka disa persona që nuk janë ekspertë, të cilët një akt njëherë e kanë dërguar në Federatë, e pastaj e kanë shpallur jo-kompetent. Aty ka persona që nuk i njohin afatet. Esat Stavileci ka dhënë një teori në lidhje me afatet, ka thënë që një jurist që nuk i njeh afatet, ska lidhje me ligje. Ora nuk është vetëm për ta bartë në dorë, por duhet ditur edhe ta lexosh e ta njohësh. Arianit Ahmeti vetë ka tentuar ta shkelë këtë orë për të cilën po flasim, e pikërisht këta njerëz të cilët nuk e respektojnë orën është një komision në ministri të punës që i rregullon këto punë, për këta persona që nuk dijnë me ta “lexojnë orën”, siç ka thënë akademiku Stavileci”, kanë qenë komentet e z. Ajeti në lidhje me pohimet se statuti i ri nuk i ka respektuar afatet kohore.
Edhe z. Naim Ferizi, si akter tjetër në përpilimin e këtij dokumenti shumë të rëndësishëm të FFK-së, ka pohuar punën e madhe që është bërë gjatë gjithë kohës, duke theksuar se gjithçka që është punuar ka shkuar në koordinim të plotë me institucionet evropiane dhe botërore të futbollit, UEFA dhe FIFA, duke thënë se është i bindur se Statuti i ri i FFK-së është më i miri që ka mundur të bëhet.
“Shikoni, ne kemi qenë një grup i gjerë punues që ka dhënë një kontribut të çmuar për Statutin e ri. Koha në të cilën jetojmë, që ka evoluar gjithçka, e ka pa si të domosdoshme ndryshimin në përputhje me rekomandimet e UEFA-s dhe FIFA-s. Është punuar për një kohë të gjatë dhe jemi munduar, në fakt s’kemi pas zgjidhje tjetër e as vullnet, që gjithçka të jetë e aprovuar nga UEFA dhe FIFA. E duhet ta kemi parasysh se FFK e ka një ombrellë të sajën e që është UEFA. Ne jemi munduar që t’i përshtatemi asaj e që sipas tyre jemi brenda kërkesave të tyre. Tash unë nuk mendoj se MKRS mund të ketë diçka kundër, nëse ne jemi në harmoni me atë që kërkon pikërisht UEFA, pa aprovimin e të cilëve nuk është shkruar as edhe një fjali në statut. Kemi qenë një ekip shumë i mirë që kemi punuar, por më duhet të falënderoj shumë edhe FIFA-n e UEFA-n, zyrtarët e të cilave na e kanë dhënë ndihmën më të madhe. Gjithçka që kemi punuar e kemi dërguar atje, pastaj na kanë kthyer me rekomandime e vërejtje, të cilat i kemi zbatuar në vazhdimësi”, ka thënë z. Ferizi.
Dilemat se a duhet apo jo të licencohet FFK-ja nga MKRS-ja, nuk duhet të ekzistojnë, kjo pasi që nuk ka as edhe një arsye të vetme në këtë drejtim. Sikurse z. Hoxha ashtu edhe z. Ajeti janë shprehur të bindur se në ministrinë e Sportit ka persona jokompetentë, të cilët z. Ajeti i ka cilësuar edhe si të dobët në raport me profesionin e juristit që e kanë, kjo duke u thirrur në elementet bazë të drejtësisë ku thuhet se “Asnjë person nuk mund të cilësohet si fajtorë, derisa gjykata nuk e merrë nje vendim të plotëfuqishëm dhe të ekzekutueshëm mbi fajësinë e atij personi”.
Eksperti ligjor, pra z. Ajeti ka thënë se ligji i njeh vetëm kriteret e veta dhe në momentin që një vendim kthehet në pikën zero, është absurde që dikush ta paragjykojë tjetrin në lidhje me përfundimin e gjykimit, sepse askush nuk e din atë.
Ndërsa sa i përket pikës 4 të nenit 11 të udhëzimit administrativ , z. Ajeti ka thënë se në drejtësi ekziston një rregull “Nullum est nullum producit effectum” që do të thotë se nuk ka fajësi, përgjegjësi për një person pa një akt të plotfuqishëm dhe të ekzekutueshëm. “Vendimi për presidentin Ademi është i kthyer në pikën zero, dhe se është e ndaluar të prejudikohet përfundimi i tij. Gjykata Supreme i ka anuluar vendimet dhe siç thash i ka kthyer në pikën zero. Çdo gjë që kthehet në pikën zero nuk guxon të paragjykohet, në drejtësi thuhet se ‘askush nuk mund të cillësohet si fajtor derisa nuk merret vendim me një aktgjykim të formës së prerë dhe të zbatueshëm. Klauzola e plotfuqishmërisë dhe e ekzekeutueshmërisë janë klauzola elementare që duhet të plotësohen që të cilësohet dikush si fajtor. Ne nuk po flasim me këtë rast për Agim Ademin. Ligji e mbron gjithkë, edhe mua edhe secilin qytetarë, të gjithë jemi të barabartë, për ndryshe nëse kishin shkuar punët qysh këta po dëshirojnë, atëherë mjafton që dy persona t’i hudhen dikujt në qafë dhe ta penalizojnë. Por, këto punë nuk shkojnë kështu”, ka deklaruar z. Ajeti.
Në anën tjetër, edhe z. Hoxha ka të njejtin mendim në lidhje me pikën e katërt të nenit 11, ku thotë se vendimi nuk është i formës së prerë dhe se nuk është normale që ‘ty sot dikush mundet me të akuzu për diçka që nuk është e vërtetuar në asnjë gjykatë, e të ta paralizojë jetën’.
“Udhëzimet administrative gjithmonë janë më të dobëta se që janë ligjet e ligjet më të dobëta sesa Kushtetuta. Mesa unë e di, në sistemin tonë juridik, persona me aktakuzë ka edhe nëpër institucione kyqe të udhëheqjes së shtetit. Vendimi për atë që është i dënuar aprovohet në momentin e ekzekutimit, këto gjëra janë të parapara siç i rekomandon edhe UEFA ashtu edhe ligjet e vendit, pasi që nuk është normale që nëse dikujt i teket dhe mund të të akuzojë për ndonjë gjë e që nuk është e vërtetuar në asnjë gjykatë, pastaj me atë aktakuzë me ta paralizuar, nëse mund të them, jetën”, ka thënë z. Hoxha.
Si përfundim, si z. Hoxha, ashtu edhe z. Ajeti e z.Ferizi janë deklaruar se kanë qenë autonom në punën e tyre bashkë me anëtarët tjerë gjatë përpilimit të statutit dhe se të vetmin organ që e kanë konsultuar duke i marrë vërejtjet e duke i përmirësuar ato, janë UEFA dhe FIFA.
Madje, z. Hoxha është shprehur i habitur, meqë nuk plotësohet asnjë parakusht që të pengohet licencimi i FFK-së, pra as te neni që e diskutuam më lart, pasi që siç thanë ata nuk ka vendim të formës së prerë, duke thënë se janë ‘para të mëdha që UEFA dhe FIFA i japin për federatat, e ata po të kishin vërejtje, nuk i lënë që ato të kalojnë në heshtje’.
Në anën tjetër, një presion fallco që është bërë ndaj klubeve nga individ të caktuar kinse licencimi do t’u pengojë të përfitojnë nga Ligji për Sponzorizimin, kjo pasi që sic dihet, ka qenë vetë ministri i cili ka folur për këtë çështje. Madje edhe vetë ministri nuk ka thënë asnjëherë se FFK nuk do të licencohet, por duhet të plotësohen kushtet apo vërejtjet që i kanë pasur.
Pra, marrë për bazë deklaratën e ekspertëve ligjorë, të cilët edhe kanë punuar në Statutin e ri të FFK-së e që janë pashmangshëm edhe të lidhur në një formë apo tjetër me futbollin, që do të thotë se i njohin edhe më mirë këto çështje, klubet por as rajonet nuk duhet të ndihen të shqetësuara as për licencimin e FFK-së e as për sponzorizimin e klubeve, pasi gjithçka është brenda afateve.
z. Hoxha në fund ka tërhequr vërejtjen edhe tek ata të cilët përkundër që nuk e njohin ligjin flasin me vrull se FFK nuk do të licencohet. “Duhet ta keni parasysh se Ministria është, apo do të duhej të ishte asistuese e FFK-së për çdo nevojë që ka. Nuk duhet të harrohet se jemi federatë e re dhe po piqemi përditë. Federatë nuk janë vetëm klubet që po bëjnë zhurmë, në fakt disa sosh, federatë është masovizimi, futbolli i femrave, kombëtarja, kushtet e punës etj, për të cilat është duke u punuar, e kjo vërehet qartësisht e lehtësisht”, ka përfunduar z. Hoxha.