Pas paraqitjeve mbresëlënëse me Ballkanin në grupet e Conference League, Ermal Krasniqi u transferua në merkaton e janarit në Rumani tek skuadra e Cluj.
Sulmuesi pavarësisht se ishte pjesë e një sistemi të ri, ia doli që shumë shpejt të ingranohej te skuadra e re dhe u shndërrua në protagonist duke fituar vendin e titullarit.
Në 16 paraqitje me rumunët. Krasniqi ka shënuar katër gola ndërsa shkëlqeu në dy ndeshjet europiane ndaj Lazios. 24-vjeçari ia doli edhe të fitonte vlerësimet e trajnerit të Lazios, Maurizio Sarri i cili e konsideroi si një lojtar shumë interesant.
Tashmë, në Rumani po flasin gjithnjë e më shumë për një transferim të mundshëm të Krasniqit në Itali. Vetë futbollisti i Kosovës shprehet se është i hapur për ofertat edhe pse mbetet i fokusuar te sezoni me Cluj.
“Aktualisht jam shumë i përqendruar te Cluj dhe dua të jap maksimumin për skuadrën. Por, nëse mbërrin një ofertë atëherë jam i lumtur ta vlerësoj”.
“Ndjehem i nderuar kur e di se janë skuadra të mëdha ato që interesohen për mua, kjo më motivon që të punoj edhe më shumë për ëndrrën time. Jam i lumtur edhe për vlerësimet nga Sarri, ndjej që mund të luaj në çdo kampionat të Europës”, u shpreh Krasniqi.