Florian Marku boksoi kundër Jamie Stewart në mbrëmjen e sotme në Londër. Dueli i Markut ishte si “nxehje” për eventin e madh ndërmjet Joshua dhe Pulev.
Marku dueloi ndeshjen më të vështirë të karrierës së tij deri më tani. Shqiponja kuqezi merr barazimin e parë në karrierë. U mendua se do të ishte më e lehtë për Markun, por nuk ndodhi kështu dhe dueli deri në fund.
Sfida nisi mirë për shqiptarin, pasi Marku dha shkëndijat e para në raundin e dytë kur e hodhi fillimisht në tapet kundërshtarin e tij Jamie Stewart. Ai i dha një goditje në trup që nuk u përballua nga Stewart.
“Shqiponja” nuk u nxitua në raundet e ardhshëm dhe sulmoi gradualisht. Ai studoi kundërshtarin dhe ngacmoi vazhdimisht me të majtën e tij. Stewart u shfaq mjaft mirë dhe u mbrojt mirë, ndërsa ngacmonte herë pas herë boksierin tonë.
Marku fitoi 4 raundet e parë, ndërsa Stewart mori raundin e pestë. Dueli ishte shumë i luftuar dhe të dy boksierët u munduan të japin më të mirën e tyre. Raundi i gjashtë nisi më mirë për Markun, që u mendua se do ta rrëzonte kundërshtarin e tij, por pas disa shkëndijash, Stewart i dha disa goditje të mira.
Raundi i shtatë nisi fort për boksierin tonë që lëshoi disa kombinime të mira në trupin e kundërshtarit të tij, por kundërshtari balancoi 3 minutëshin. Raundi final ishte shumë i dyluftuar me Markun që u mundua të ruante fitoren duke sulmuar, ndërsa Stewart u përpoq t’i vidhte fitoren pa sukses. Një ndeshje mjaft e bukur dhe e luftuar, por “shqiponja ynë” barazoi dhe u mërzit shumë. Ai nuk qe aspak dakord me vendimin e jurisë.