Federata Shqiptare e Futbollit është kthyer tashmë në një partner të besueshëm për UEFA-n, që i beson çdo vit organizimin e shumë turneve europiane dhe jo vetëm. Për herë të dytë brenda dy vitesh, UEFA i ka besuar FSHF-së organizimin e UEFA CFM (Certificate in Football Management), një program shumë i nevojshëm për këdo që punon në një organizatë futbollistike e që dëshiron të rrisë nivelin e menaxhimit dhe performancës.
Eksperiencat pozitive të bashkëpunimit të vazhdueshëm me FSHF-në në të gjitha nivelet ka bërë që UEFA t’ia besojë organizimin e këtij trajnimi kaq të rëndësishëm për punonjësit e klubeve apo vetë Federatës, institucionit të futbollit shqiptar.
Për të mësuar më shumë rreth UEFA CFM, Edlira Jaupaj, drejtore e departamentit të Burimeve Njerëzore ka shpjeguar për fshf.org rëndësinë e këtij programi europian, që ‘zbret’ për herë të dytë në ‘Shtëpinë e Futbollit’.
“‘Certifikimi i Menaxhimit të Futbollit’ është një program shumë i rëndësishëm, sidomos për pjesën e futbollit ku thellohen akoma edhe më tepër njohuritë që ti merr gjatë gjithë kohës. Thellohen njohuritë në Marketing, në PR, në botën e futbollit dhe organizimit të saj. Dhe për këtë arsye, ky program është shumë i rëndësishëm sepse një person, i cili punon në klube futbolli apo në administratë kompletohet me njohuri më të thella për menaxhimin e futbollit” – thotë Jaupaj.
“Është hera e dytë që UEFA na beson organizimin e një programi të tillë si CFM” – nënvizon Edlira Jaupaj për fshf.org, ndërsa thekson se programi zgjat 9 muaj dhe tregon edhe se kush mund të bëhet pjesë e këtij programi. “Është një program që zgjat 9 muaj dhe është shumë i rëndësishëm për ne si FSHF. Jemi shumë krenarë që e kemi këtë edicion përsëri në Shqipëri, për faktin që është ndërkombëtar dhe ka lidhje edhe me Universitetin e Lozanës dhe nuk mungon as bashkëpunimi me Federatat e tjera. Pjesëmarrësit janë të shumtë. Përveç kuotës tonë prej 20 personash, ku marrin pjesë administrata e FSHF-së dhe klubeve të futbollit shqiptar, janë edhe 15 persona të tjerë që vijnë nga federatat e tjera. Është shumë i rëndësishëm për imazhin e organizatës tonë në të gjithë Europën. Pjesëmarrësit e këtij edicioni nuk do të jenë vetëm nga FSHF, por edhe nga klubet, duke i dhënë një mundësi edhe klubeve për të thelluar dhe për të rritur kapacitetet menaxheriale brenda stafit të tyre. Dua të theksoj faktin që Federata e Futbollit, nga një federatë e vogël po merr përmasa gjithmonë e më të mëdha dhe e kemi tejkaluar fazën e një federate të mesme” – thotë ndër të tjera Edlira Jaupaj.
Por sa i intereson Federatës Shqiptare të Futbollit ky program? “Ne jemi të interesuar për këtë edicion sepse kjo pasuron edhe më tepër futbollin shqiptar me njohuri dhe kapacitet menaxherial. Është shumë e rëndësishme që stafi që punon në futbollin shqiptar qoftë në Federatë, qoftë në klube, por edhe në Akademitë e futbollit, të marrë akoma edhe më tepër njohuri në lidhje me proceset e tjera që lidhen me futbollin dhe që janë jo vetëm organizimi i ndeshjes, por edhe pjesa operacionale, ajo që nuk shihet në organizimin e ndeshjes, që është po aq e rëndësishme sa vetë ndeshja” – nënvizon drejtorja e Burimeve Njerëzore në FSHF, e cila thekson ndër të tjera edhe se bashkëpunimi i FSHF-së me UEFA-n gjatë këtyre viteve ka qenë shumë i mirë dhe feedback-u ekspertëve ndërkombëtarë për edicionin e kaluar të CFM ka qenë shumë pozitiv.
“Bashkëpunimi me UEFA-n ka qenë i shkëlqyer në këto vite. Në edicionin e kaluar, të gjithë drejtuesit e UEFA-s, të cilët ndoqën pjesën akademike të CFM-së, patën një impresion shumë pozitiv. Madje, zhvillimi i FSHF-së apo edhe i futbollit shqiptar ishte goxha i lartë në nivelet që ata vlerësuan. Ne kemi pasur një bashkëpunim akoma më të thellë në të gjithë këto vite dhe ju keni qënë dëshmitarë të të gjitha eventeve që ne kemi patur, apo edhe turneve që po vazhdojnë – përfundon Edlira Jaupaj.