Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ditë më parë përmes një letre publike drejtuar qytetarëve, ka njoftuar se të hënën do të udhëtojë për në Hagë me ftesë të Prokurorisë Speciale.
“Kosova edhe pse viktimë, bashkëpunoi me organet e drejtësisë për trajtimin e pretendimeve për krime lufte. Në këto dy vitet e fundit shumë ish-bashkëluftëtarë janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara, brenda dhe jashtë vendit. Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, Më lejoni të ndaj me ju se të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar”, shkruan ndër të tjera në mesazhin e tij për qytetarët Hashim Thaçi.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, nga Prokuroria Speciale me Seli në Hagë akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Kjo akuzë ende nuk është konfirmuar nga Gjykata Speciale.
Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se, Thaçi dhe Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme.
Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.
Analisti dhe njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka folur rreth mundësisë së dorëheqjes së Hashim Thaçit, nga posti i presidentit pas ftesës nga Specialja.
Burjani është i mendimit se në këto momenti kreu i shtetit nuk ka nevojë që të jap dorëheqje, derisa shton se ky i fundit edhe mund t’i kryejë të gjitha obligimet kushtetuese. Mirëpo, sipas jurisit, e gjithë kjo varet nga vullneti i tij.
“Nuk ka nevojë të jap dorëheqje presidenti Hashim Thaçi, në këtë fazë, por ndjenja dhe morali për mundësit e një aktakuze që të konfirmohet është diçka tjetër, kjo varet nga vet ai. Deri në konfirmim të aktakuzës presidenti mund të kryejë të gjitha obligimet kushtetuese. Ai mund të ushtrojë edhe funksione tjera, si dhe dialogun me Serbinë”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”.
Kurse, në pyetjen se a do ta qojë Thaçi deri në fund mandatin e tij si president, Burjani shprehet se kjo do të varet se a do të konfirmohet apo të lirohet aktakuza e ngritur javë më parë.
“Pyetja se a do të mbete deri në përfundim të mandatit kjo çështje varet se a do të lirohet nga aktakuza apo do të konfirmohet aktakuza, pra nuk është proces i thjesht, varet shumë nga faktet e prokurorisë dhe nga gjykata”, ka deklaruar Blerim Burjani.
Kujtojmë se në ditën kur Zyra e Prokurorit bëri publike aktakuzat, presidenti Hasihm Thaçi ishte duke udhëtuar drejt Shtëpisë së Bardhë për të takuar homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësim të të dërguarit të Posaçëm të SHBA-së për dialog, Richard Grenell.