Agjencia për Barazi Gjinore, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, ka zhvilluar një takim të radhës me ekipin ndërinstitucional për hartimin e Kornizës Ligjore për Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor (BPGJ). Kjo iniciativë është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të integruar barazinë gjinore në proceset e planifikimit dhe menaxhimit të financave publike në vend.
Takimi u përqendrua në shqyrtimin e dokumentacionit ligjor ekzistues dhe identifikimin e mundësive për përfshirjen e perspektivës gjinore në politikat buxhetore. Gjatë diskutimeve u analizuan elemente të rëndësishme nga legjislacioni për auditim, si dhe dispozita që mbështesin auditimin me ndjeshmëri gjinore.
Gjithashtu, pjesëmarrësit shqyrtuan aspekte kyçe të ligjit për financat e pushtetit lokal dhe të legjislacionit për prokurimin publik – dy fusha të cilat konsiderohen thelbësore për zbatimin efektiv të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në institucionet publike.
Në fokus të diskutimeve ishin edhe mekanizmat për auditimin gjinor të politikave dhe programeve publike, me theks të veçantë në rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për të garantuar që Korniza Ligjore për BPGJ të jetë e qartë, funksionale dhe e zbatueshme.
Takimi u mbështet me asistencë teknike nga UN Women në Kosovë.