Ksenija Pavloviq-McAteer, korrospodentja e pavarur në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë se është e vërtetë që në pikën 10 të dokumentit që iu dorëzua sot Aleksandar Vuçiqit në Washington, kërkohet njohja e pavarësisë së Kosovës.
Në një shkrim në Twitter, Pavloviq-McAteer i ka reaguar Richard Grenellit, Emisarit Special të ShBA-ve për Dialogun, i cili e quajti të pavërtetë raportimin paraprak të saj për përmbajtjen e këtij dokumenti.
“Pika 10 në dokument thotë: Të dy palët angazhohen për NJOHJE TË NDËRSJELLTË dhe mbrojtje të pakicave etnike, zgjidhje të statusit të individëve që kanë humbur pronat, si dhe të bien dakord për hapjen e zyrave përgjegjëse për mbrojtjen dhe raportimin vjetor mbi të drejtat e pakicave”, ka thënë gazetarja.
Richard Grenell, Emisari Special për Dialogun Kosovë-Serbi, i ka quajtur të pavërteta pretendimet e mediave serbe se presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit në Washington i është vendosur në tavolinë një letër për njohjen e pavarësisë së Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.
Mediumet serbe, si B92 dhe Blic.rs kanë shkruar sot se Vuçiqit, që në fillim të takimit në Washington i është vënë mbi tavolinë letra për pranimin e pavarësisë së Kosovës.
Por, në një reagim në rrjetin social Twitter, Grenell ka demantuar këto raportime.
“Nuk është e vërtetë”, ka shkruar shkurt Grenell në Twitter.
Takimi i parë mes palëve, Kosovës dhe Serbisë, ka përfunduar sot rreth orës 19:00. Negociatat pritet të vazhdojnë pas disa orësh.