PRA TANI ËSHTË “VERBOTEN” TË FLASËSH PËR GEORGE SOROS!
Pardje, në emisionin “Outnumbered”, në Fox News, ishte i ftuar për të folur për situatën e protestave të dhunshme majtiste profesori i historisë, politikani republikan dhe ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Newt Gingrich. Në fjalën e tij përmbyllëse, ai akuzoi prokurorët e distrikteve, të zgjedhur me paratë e Sorosit, që refuzojnë të procedojnë penalisht aktivistët e dhunshëm, të cilët më pas rikthehen në rrugë, për të kryer krime të tjera. Sapo Gingrich përmendi emrin George Soros, një nga komentueset e emisionit, Melissa Francis, ndërhyri, duke i ndërprerë fjalën. Gingrich u përpoq sërish të sqaronte pse fajësonte Sorosin për gjendjen, por edhe komentuesja tjetër, Marie Harf, nguli këmbë që ai të mos e përmendte Sorosin në bisedë. Me të drejtë i habitur, për më tepër, sepse ishte duke folur në një televizion, që është i vetmi në SHBA, që nuk është bërë njësh me elitën majtiste, Gingrich tha: Okej… pra tani është “verboten” (gjermanisht: e ndaluar)…
Dje, drejtuesja e emisionit, Harris Faulkner, kërkoi ndjesë publikisht për sjelljen e kolegeve të saj, por jo edhe për heshtjen e saj gjatë incidentit, të cilin ajo me mbylli me fjalët: Okej, vazhdojmë më tej.
Ky incident është raportuar gjerësisht nga mediat amerikane dhe jo vetëm, sepse provon se sa thellë janë shtrirë metastazat e elitës majtiste dhe sa ndikim ka George Soros mbi jetën politike në SHBA.
Ky është debati, duke filluar nga sekonda 28 e videos:
FAULKNER: Kryetar Gingrich, e di se keni një fjalë të fundit për të thënë.
GINGRICH: Po. Shiko, problemi numër një, në pothuaj të gjithë këta qytete, janë prokurorët e distrikteve, të zgjedhur nga George Soros, të krahut të majtë, anti-polici dhe pro-kriminelë, që refuzojnë t’i mbyllin në burg njerëzit. Vetëm dje, ata lanë të lirë dikë, që është i kërkuar për dy vrasje të ndryshme në qytetin e Nju Jorkut. Nuk mund ta zgjidhësh këtë problem dhe ata (Kamala Harris dhe Joe Biden) kanë folur me shumë krenari, për ata që i konsiderojnë ‘prokurorë progresistë të distrikteve’. Prokurorët progresistë të distrikteve janë anti-polici, pro-kriminelë dhe, në shumicë, të zgjedhur me paratë e George Soros. Dhe ata janë një nga shkaqet kryesore të dhunës që po shohim, sepse ata vazhdojnë t’i kthejnë kriminelët në rrugë.
FRANCIS: Nuk jam e sigurt nëse duhet ta përfshijmë George Sorosin në këtë bisedë. GINGRICH: Ai ka paguar për këtë! Pra, pse nuk mund të diskutojmë faktin që miliona dollarë…
HARF: Jo, nuk ka paguar ai. Jam dakord me Melissan. George Soros nuk ka pse të bëhet pjesë e kësaj bisede.
GINGRICH: “Okej… pra është “verboten”. … pauzë e gjatë… FAULKNER: Okej, do të vazhdojmë më tej. Ditë historike në Shtëpinë e Bardhë… Faktet tregojnë se Soros është përfshirë në disa gara zgjedhore për prokurorë distriktesh në Kaliforninë e Veriut dhe në të gjithë vendin, në vitin 2018. Qëllimi i tij ishte të mposhte kandidatët e “ligj dhe rend” dhe të zgjidhte prokurorë “progresistë”. Prokurorë të mbështetur nga Soros kanë luajtur një rol të rëndësishëm në kundërvënie të ndryshme kombëtare, që po zhvillohen sot. Një prej tyre është Kim Foxx, prokurore e zonës së Çikagos, që keqpërdori mashtrimin me krimin e urrejtjes nga Jussie Smollet. Një tjetër është Kim Garnder, prokurore Sent Ljuisit, që akuzoi çiftin McCloskey pasi ata mbrojtën shtëpinë e tyre nga një bandë e Black Lives Matter, duke qëndruar në prag me armë në dorë. Veç këtyre, është edhe Diana Becton, që së fundi ka akuzuar një çift kalifornian për krimin e urrejtjes, sepse kanë pikturuar mbi muralen e “Black Lives Matter” në një rrugë publike. Fondacioni Shoqëria e Hapur e George Soros ka investuar 220 milion dollarë në përpjekje për të çuar përpara “drejtësinë raciale” në SHBA.