Bayern Munich ka shënuar fitore me rezultat 1-0 në shtëpi ndaj Paris Saint-Germainit në kuadër të raundit të pestë në Ligën e Kampionëve.
Bavarezët me meritë e mbyllën pjesën e parë në avantazh pasi dominuan ndaj PSG-së në të gjitha aspektet e lojës.
Kërcënimi i parë për portën e PSG-së erdhi në minutën e shtatë kur Jamal Musiala bëri një goditje e cila u prit nga portieri Matvey Safonov.
Një tjetër rast shënimi e pati edhe Kingsley Coman në minutën e 27-të, por gjuajtja e tij shkoi pranë shtyllës së majtë.
Rasti i vetëm që PSG-ja krijoi në këtë pjesë ishte në minutën e 32-të përmes Ousmane Dembeles të cilit Manuel Neuer ia mohoi golin.
Pas disa tentimeve të njëpasnjëshme, Bayerni e gjeti golin në minutën e 38-të përmes Kim-Min Jae i cili realizoi me kokë për 1-0.
Në pjesën e dytë PSG-ja mbeti me një lojtar më pak në fushë kur në minutën e 56-të Ousmane Dembele u përjashtua pas kartonit të dytë të verdhë.
Kërcënimi më serioz nga Bayerni në pjesën e dytë erdhi në minutën e 74-të me Jamal Musialan, por gjuajtja e tij u prit për mrekulli nga portieri Safonov.
Pas kësaj fitore, Bayerni shkon në kuotën e 9 pikëve dhe mban momentalisht pozitën e 12-të në tabelë, teksa PSG-ja zhytet edhe më shumë në krizë dhe renditet në vendin e 25-të.