Gjilani dhe Dukagjini do ta kërkojnë kualifikimin tutje sonte në Ligën e Konferencës.
Dy ekipet kosovare regjistruan rezultate të kënaqshme në ndeshjet e para përkatëse në rrethin e parë kualifikues të kësaj gare.
Gjilanasit barazuan 2:2 në udhëtim me FC Progres Niederkom.
E tash, “Skifterat” para publikut të tyre sonte në Prishtinë do ta kërkojnë fitoren dhe rrjedhimisht edhe kualifikimin në rrethin e dytë.
Kjo ndeshje do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” duke filluar nga ora 20:00.
E paraprakisht, në fushën e blertë sot do të zbresë edhe Dukagjini.
Debutuesi kosovar në garat evropiane e mposhti ekipin Europa FC në lojën e parë në Prishtinë me rezultat 2:1.
Trupa e Armend Dallkut ka shkuar në Gjibraltar për ta ruajtur këtë epërsi dhe për ta siguruar kualifikimin tutje.
Kjo ndeshje do të fillojë në orën 17:00, shkruan “Gazeta Express”.
Ndërkaq, ekipi i tretë që do ta përfaqësojë Kosovën në Ligën e Konferencës, Drita, do të luajë nga rrethi i dytë kualifikues, njëjtë si Ballkani, i cili u eliminua nga Liga e Kampionëve dhe tash garat do t’i vazhdojë në Conference League.