Gjilani ka fituar me rezultat 2-1 ndaj Ballkanit në kuadër të javës së 20-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Fillimi i ndeshjes ishte i qetë me të dy skuadrat që preferonin të luanin në mënyrë të sigurt duke pritur ndonjë gabim eventual të njëra-tjetrës.
Mysafirët arritën të kalojnë eventualisht në epërsi në minutën e 41-të përmes Bleart Tolajt i cili shënoi për 1-0 pas një gabimi të mbrojtjes së Gjilanit.
Reagimi i Gjilanit erdhi në pjesën e dytë, duke arritur të barazojnë shifrat në minutën e 62-të.
Autor i golit për ekipin e Ardian Nuhiut ishte sulmuesi Senad Jarovic i cili u tregua i saktë nga penalltia për rezultatin 1-1.
Teksa po luhej aksioni i fundit i ndeshjes, në skenë doli sërish Jarovic i cili realizoi në minutën e 95-të për rezultatin 2-1, duke kompletuar kështu përmbysjen ndaj kampionit në fuqi.
Pas këtij fitore Gjilani shkon në kuotën e 27 pikëve dhe renditet në pozitën e pestë në tabelë, ndërsa Ballkani ka 36 sosh dhe mban pozitën e dytë.
Në takimin tjetër, Llapi ka gjetur rrugën tek fitoret në kampionat, pasi kanë triumfuar me rezultat 3-0 në udhëtim ndaj Feronikelit ‘74 në kuadër të javës së 20-të në elitën e futbollit kosovar.
Në pjesën e parë nuk pati aq shumë raste për gol, megjithëse llapjanët ia dolën ta gjejnë golin e avantazhit.
Ishte Valmir Veliu ai i cili u përkujdes për t’i dhënë epërsinë Llapit në këtë takim duke realizuar për 1-0 në minutën e 10-të.
Gjatë pjesës së dytë, Llapi ia doli të shënojë edhe dy herë të tjera duke siguruar fitoren e parë në kampionat pas shumë kohësh.
Në minutën e 62-të lojtari vendas Armend Halili shënoi në rrjetën e portës së tij për epërsinë e Llapit prej 2-0.
Për epilogun përfundimtar të ndeshjes 3-0 në skenë doli sërish Veliu, i cili shënoi sërish në minutën e 66-të pas asistimit të Ardit Tahirit.
Me këtë fitore Llapi shkon në kuotën e 21 pikëve të grumbulluara, por vazhdon të mbetet në pozitën e nëntë në tabelë, teksa Feronikeli ‘74 me vetëm 10 sosh mban pozitën e dhjetë.