Ekipe të gjyqtarëve nga Kosova do të ndajnë drejtësi edhe në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Ata janë caktuar nga UEFA, menjëherë pasi u mësuan kundërshtarët e rundit të tretë kualifikues të kësaj gare.
Në duelin e parë kualifikues të këtij rundi ndërmjet Sepsit të Rumanisë dhe Aktobes së Kazakistanit, drejtësi do të ndajnë gjyqtari kryesor Visar Kastrati, bashkë me ndihmësit Besnik Morina dhe Lumturije Muhadri, ndërsa gjyqtar i katërt do të jetë Alban Shala.
Ndërkohë, në duelin kthyes të rrethit të tretë kualifikues mes Nordsjaellandit të Danimarkës dhe Steaua Bukureshtit (FCSB) të Rumanisë, do të jetë tjetër ekip i gjyqtarëve nga Kosova.
Genc Nuza do të jetë gjyqtar i parë, me asistentët Fatlum Berisha dhe Arbnor Bullatovci. Gjyqtar i katërt do të jetë Dardan Çaka.
Ekipi i gjyqtarëve nga Shqipëria do të drejtojë ndeshjen ndërmjet Hamrunit të Maltës dhe Ferencvaroshit të Hungarisë.
Eldorjan Hamiti si gjyqtar kryesor, do të ndihmohet nga asistentët Rejdi Avdo dhe Rejdi Zaimi, kurse Andi Koçi është gjyqtar i katërt.