Rumuni Cristan Jura, gjyqtar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Llozanë ka bërë një analizë të asaj që ndodhi në ndeshjen e së premtes mes Rumanisë dhe Kosovës.
Ai ka lënë të kuptohet se thirrjet “Serbia, Serbia” mund të penalizojnë rëndë federatën rumune.
Jura ka thënë se fillimisht vendimin e merr UEFA e më pas ndonjëra palë mund ta dërgojë rastin në CAS.
“Janë dy aspekte që duhet t’i konsiderojmë. Rumania është dënuar për sjellje të tifozëve. Për mendimin tim është shumë me rëndësi ajo që shkruan referi. Mendoj se ishte komplekse, në kuptimin që lojtarët e Kosovës bënë provokime dhe qartë se tanët u përgjigjën”, ka thënë Jura për “fanatik.ro”.
Ai nuk ka shfajësuar tifozët rumunë.
“Nëse i interpretojmë thirrjet ‘Serbia, Serbia’ në kontekstin e tensioneve mes Kosovës e Serbisë, mund të interpretohet si sjellje e pahijshme. Jemi në situatë të vështirë. Ju mund të shihni çka ndodhi në Amsterdam në atë ndeshje të Ajaxit. Nëse thërrisni Serbia, Serbia, në princip nuk duhet të jetë sjellje e pahijshme. Por nëse thirrni Serbia, Serbia në konteks të tensioneve mes Kosovës e Serbisë… Mos të harrojmë që Kosova nuk është shtet i njohur nga Rumania”, ka thënë eksperti i çështjeve ligjore në sport.
Jura ka thënë se e drejta e shprehjes së lirë nuk është absolute.
“Sërish varet nga interpretimi. Kosovarët thonë se ajo që ndodhi nuk ishte në rregull. Nga këndvështrimi ynë mund të thuhet që është në rregull. Duhet të analizojmë gjithë situatë, jo vetëm faktin se kemi bërtitur Serbia, Serbia. Duhet të marrim për bazë sjelljen e tifozëve”.
Jura ka shprehur mendimin se Rumania nuk rrezikon të humbë me rezultat 3:0. Ka thënë se lojtarët e Kosovës mund të dënohen.