Ngjarjet anti-Kosovë në Rumani nuk i kanë zbutur marrëdhëniet ndërmjet establishmentit të futbollit dhe opozitës së saj brenda vendit.
Përkundrazi, tensionet mes grupit të ashtuquajtur opozitar të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) janë ngritur në kulmin e tyre këtë fundjavë.
Si zakonisht, arena e përballjes janë studiot televizive. Akterët? Gramoz Vokrri, djali i legjendes Fadil Vokrri dhe Lulzim Berisha, udhëheqësi i tifo-grupit ‘Dardanët’.
Në emisionin Dueli Sportiv të RTV Dukagjinit, Vokrri dhe Berisha i sollën në diskutim hatërmbetjet e vjetra me njëri-tjetrin. Tensionet u ngritën aq lartë sa dy burrat folën për “ballafaqim jashtë” studios, raporton Paparaci.
Debati nisi për ngjarjet e natës së 15 nëntorit në Bukuresht, me Vokrrin që tha se braktisja e ndeshjes nga përfaqësuesesja e Kosovës do duhej të kishte ndodhur në ndeshjen Rumani-Kosovë, vitin e kaluar.
Vokrri: “Për mua ky veprim është dashtë me u bë vitin e kaluar, për shkak se situata ka qenë shumë më e rëndë sesa kësaj radhe”.
Berisha: “Për vitin e kalum jemi tërhjek, o zotëri”.
Vokrri: “Kadal veç pak të lutem ta përfundoj, të tregojmë pak kulturë”.
Berisha: “Me pasë kulturë ti fillimisht nuk fol për një njeri që nuk është prezent në studio”.
Vokrri: “Për me u ballafaqu, ballafaqohemi jashtë”.
Pas disa minutash heshtje, të dy u përplasen sërish me tone të ashpra. Vokrri u filmua duke bërë me gjestikulacione dhe mimika për përballje jashtë studios. Berisha tha se ndihej i kërcënuar. Moderatori i emisionit u përpoq t’i ulte tensionet.
Berisha: “Unë mendoj se nuk duhet me u qitë vnerë nëpër studiot televizive sepse nëpër studio po qitet vnerë, edhe prej këtij zotërisë këtu [Gramoz Vokrrit, v.j]. Para një muaji direkt për mu, ky zotëria në një studio televizive thotë për mua ‘kush është ai’. Ky më njeh mua shumë mirë kush jam unë edhe çka përfaqësoj unë. Ky bile e di që unë nuk ia kam kthy kurrë shpinën familjes Vokrri. Nuk po e kuptoj këtë far idenë se ku dashti ky me dal jashtë me mua, edhe për çfarë arsye. Këtë qasje nuk ke të drejt as morale, as njerëzore, me mu gjujtë mua ashtu. A po më duket e the në afekt, a për çfarë arsye the që kishte dashtë me dal jashtë me mua?”
Vokrri: “Fillimisht unë dhe familja Vokrri, ne nuk ndihemi aspak të afërt me ty. Unë flas për familjen time. Familja Vokrri, kurrgjë s’ka të bëj me ty. Ti je thjesht një kryetar i një tifo-grupi. Ti paske ardh me mision tjetër sot”
Berisha: “Jo, unë me mimika nuk flas. Unë flas direkt”
Vokrri: “E di që je mësu me gjujtë me fjalë. Unë të dëgjova deri në fund. Tash, unë i rri mbrapa edhe çka kam thënë. Nuk je tu e tutë kërkond, këtë po ta them këtu në studio. E di që jeni mësu edhe me kërcënu nga pak, po kjo është tjetër send”.
Berisha: “Ej s’po të kuptoj unë ty çka po bën. Kadal, në studio të juaj po kërcënohem. Është xhirimi, ju kisha lutur ta ktheni e ta shihni personin çka bën. Ti a po mendon me më tutë ti mu a? Është hera e parë edhe e fundit që më kërcënon ti mu”.